Qysh në hyrje të kaplon një emocion që kalon në qetësi dhe gëzim kur të thuhet shqip:
“Mirë se erdhët, kazerma dhe ushtria është e juaja dhe për ju!”
Në çdo hap që bënë të vie nga një kujtim lufte a paqeje.
Të kujtohet një ngjarje, një familjar, një lot i asaj kohe që sot është lot gëzimi, lot lirie.
Kur dëgjon zhurmën e marshit të tyre të duket sikur edhe zemra jote po hapëron me ritmin e këmbëve të tyre.
Sa jehonë e mirë është kur dëgjon zërat e tyre kur pranojnë urdhërat e komandantit. Nuk tingëllojnë si fjalë, ngjasojnë me këngë.
Është lakmi të shohësh armët e reja të tyre që nga tytat e tyre nxjerrin lule e reflektojnë paqe. Armë që mbrojnë e nuk vrasin.
Është kënaqësi të shohësh një ushtri të tërë të rinjsh të përgatitur mirë fizikisht dhe profesionalisht, me t’u kënaq syri.
Ama është një mall që të nxjerrë lotin kur në mesin e fytyrave të tyre të mundohesh të gjesh dikë që ngjason me vëllanë apo motrën tënde që s’është më.
Mbi të gjitha është kënaqësi dhe emocion të shohësh në uniformë fëmijët e dëshmorëve e martirëve. Ata janë përfytyrimi i tyre, disa mbajnë emrat e njëjtë. Janë Adema, Shkelzena, Zahira, Zahide, Fatime e Beqat e gjallë.
“… Ata janë të gjallë te Zoti i tyre…”
Është madhështore të shohësh ushtarë që secili në zemrën e tij mban një amanet:
“Ta ruajmë lirinë që është shpërblimi i gjakut të dëshmorëve dhe martirëve tanë”.
Forca e Sigurisë së Kosovës është më shumë se ushtri, është më shumë se mision.
Ajo është copëzat e secilës familje, mozaik i luftës dhe paqes, janë ngjyrat e 28 Nëntorit.
Shpallja e pavarësisë është nje akt, ndërtimi i saj është proces. Është më shumë se valvitje e flamurit ose kryqëzim duarsh.
Ta ndërtojmë shtetin, ta duam dhe forcojmë ushtrinë tonë.
Zoti i ruajtë ushtarët tanë kudo që janë!
Nga Berat Preniqi