Pas tërmetit në Iran, 8 qytetarë humbën jetën në Turqi

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu deklaroi se si pasojë e tërmetit që goditi qytetin Khoy në Iran, në rajonin Başkale të qytetit Van të Turqisë sipas të dhënave paraprake kanë humbur jetën 8 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Qendrën e Koordimit AFAD në qytetin Elazığ, ministri Soylu rikujtoi se rreth orës 08:53 sipas kohës lokale në qytetin Khoy të Iranit u regjistrua një tërmet prej 5.9 ballë.

“Sipas vlerësimeve dhe informacioneve që kemi marrë aktualisht nuk vërehet ndonjë situatë negative në qytetin Hakkari, por jemi informuar se ka pasur humbje të jetëve dhe shembje në fshatrat Kaşkol, Güvenlik, Gelenler dhe Özpınar në rajonin Başkale të qytetit Van. Menjëherë pas kësaj kemi informuar presidentin lidhur me situatën në 4 fshatrat e tronditur si pasojë e tërmetit që ndodhi në qytetin Khoy të Iranit”, tha Soylu duke shtuar se:

“Bëhet fjalë për shembje, kryesisht të shtëpive. Janë vënë në gadishmëri komuna dhe prefektura Van ndërsa një pjesë e ekipeve tona të AFAD kanë mbërritur në fshatrat në fjalë. Më saktë kanë mbërritur fillimisht në fshatin Özpınar dhe janë duke mbërritur edhe në fshatrat e tjerë”, tha Soylu duke theksuar se qyteti Khoy në Iran është në kufi me qytetin Hakkari dhe rajonin Başkale të qytetit Van.