Pas shpërthimit të zjarrit, rikthehet në operim njësia A4 në Termocentralin Kosova A

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se është rikthyer në operim njësia A4 në Termocentralin Kosova A, pas një zjarri që kishte shpërthyer të premten.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se, pas një angazhimi të madh nga menaxhmenti dhe stafi i Termocentralit (TC) Kosova A, njësia A4 është rikthyer në operim. Sanimi i defektit në kabllot e matjeve, i cili kishte ndodhur si pasojë e një lidhjeje të shkurtër, ka përfunduar nga profesionistët e korporatës në një kohë optimale”, thuhet në njoftim.

KEK shton se falë këtij vullneti dhe përkushtimi të menaxhmentit dhe stafit të TC Kosova A, startimi i njësisë ka filluar mbrëmë pas mesnate.

“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ajo është sinkronizuar me rrjetin elektrike në ora 05:04 dhe gjendja e saj tani është stabile. Ky rikthim në operim i njësisë A4 përfaqëson një arritje të rëndësishme për KEK, duke kontribuar në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike në vend. Ne falënderojmë të gjithë punonjësit për angazhimin e tyre dhe jemi të bindur se ky sukses do të ndikojë pozitivisht në operimet tona të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Korporata Energjetike e Kosovës ka shtuar se vazhdon të angazhohet për ofrimin e shërbimeve të besueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend.