Shqipëria ka nisur të hënën grumbullimin për ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë. Ndeshja me Kilin është më 22 mars në Parma të Italisë, ndërsa me Suedinë më 25 mars në Solna.
Në këto dy ndeshje rastin pritet ta ketë sulmuesi Rey Manaj, që ka shkëlqyer së fundi në Superligën e Turqisë. 27-vjeçari ka shënuar plot 15 gola në 25 paraqitje dhe kështu e siguroi ftesën e Sylvinhos. Manaj është kthyer pas një kohe të gjatë te kuqezinjtë dhe tani pret të jetë në ekip edhe për Kampionatin Evropian që mbahet në verë.
“Është emocion të kthehesh në ekip. Besoj që të gjithë lojtarët janë të motivuar për Evropianin. Tifozët dhe familjet shqiptare e presin shumë këtë ngjarje. Kam folur me trajnerin dhe lojtarët duhet ta tregojnë veten në këto ndeshje miqësore si dhe në stërvitje”, ka thënë Manaj.
Ai ka 31 ndeshje e shtatë gola me Shqipërinë. Por asnjëherë nuk ishte bartës i lojës. Edhe tani e pret konkurrencë e madhe për vend në ekipin startues.
“Për Evropianin mendon trajneri. Unë për veten time mendoj se jam gati për Evropian. Jam takuar me trajnerin. Ky është grumbullimi im i parë me të. Unë e dija që nuk jam gati. Tani e kam rastin për të treguar veten në miqësore”, ka shtuar Manaj.
Ai ka arsyetuar mbetjen jashtë ekipit me lëndimet që kishte. Thotë se e rëndësishme ishte të kthente formën dhe tani ka rastin të tregojë vlerat me “kuqezinjtë”. Manaj pret që tifozët të përkrahin fuqishëm Shqipërinë në ndeshjen me Kilin në Parma.
Start pozitiv në Superligën turke ka pasur edhe Ernes Muçi. Ai në janar u transferua te Beshiktashi nga Legia e Varshavës. Muçi është tjetër kandidat i fortë për vend në ekipin e Shqipërisë për “Euro 2024”.
“Për Evropianin nuk kam menduar. Dua të paraqitem mirë me skuadrën dhe këto miqësore përballë kombëtareve të mëdha. Duhet të tregojmë veten që e meritojmë të shkojmë në Evropian. Jam gati, por trajneri vendos. Duhet të punoj dhe të ndjehem mirë fizikisht, të tregoj vlerat në këto miqësore”, ka thënë Muçi.
Ai e di se konkurrenca për vend te Shqipëria është shumë e madhe.
“Jemi para muajve vendimtarë. E mendoj që të jem pjesë e listës, por është zgjedhje e trajnerit. Duhet të vazhdojmë të punojmë me klubet dhe të kemi motiv shtesë me Evropianin përpara. Jemi gati të paraqitemi mirë në këto miqësore, ndërsa presim edhe shumë shikues”, ka shtuar Muçi.
Shqipëria më 3 qershor luan miqësore me Lihtenshtajnin e më 7 qershor me Azerbajxhanin. Më pas e presin sfidat në Evropian. Më 15 qershor luan në Dortmund ndaj Italisë. Më 19 qershor në Hamburg është ndeshja Kroaci – Shqipëri. Ndërsa më 24 qershor Shqipëria luan me Spanjën në Duesseldorf.
Selektori Sylvinho për dy ndeshjet e marsit ka lënë jashtë Mirlind Dakun e Arbnor Mujën. Për herë të parë është ftuar Arbër Hoxha. I lënduar është Ardian Ismajli.