Pas rreth 5 orëve, përfundon bastisja në banesën e Kadri Veselit

Për rreth 5 orë Zyra e Prokurorit të Specializuar e mbështetur nga zyrtarë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kanë bastisur shtëpinë e ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Nga parking i banesës së Veselit tashmë janë larguar katër vetura të EULEX-it, e që zyrtarët janë parë të kenë marrë disa pako me vete.

Bastisjen në shtëpinë e Veselit që ka filluar para orës 9 të mëngjesit, e kanë konfirmuar edhe nga Dhomat e Specializuara përmes një njoftimi.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Aktualisht bastisja është duke vazhduar në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe deputeti I LVV-së Rexhep Selimi.

Ditën e djeshme Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën kreut të PDK-së Kadri Veseli, ish-presidentit Hashim Thaçi, e që të njëjtit janë dërguar për në Hagë.