Protestat e dhunshme në katër komunat veriore të Kosovës, ku u atakuan gazetarë kosovarë dhe pjesëtarë të KFOR-it, krijuan një përshtypje tek opinioni i gjerë se KFOR-i lë për të dëshiruar në mbarështimin e rasteve të përplasjes fizike në zona urbane. Përvoja e tillë kryesisht gjendet te pjesëtarët e policisë dhe më pak te ata të ushtrisë, siç është KFOR-i. Megjithëkëtë, insistimin e faktorit ndërkombëtar që situatën të mos e menaxhojë Policia e Kosovës, por KFOR-i, duhet konsideruar si një gjest politik ndaj Serbisë, por jo edhe si zgjidhje efektive.
Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren
Raportet midis shtetit kosovar dhe atij serb nuk po arrijnë normalizimin. As Marrëveshja e Ohrit, e datës 18 mars 2023, nuk rezultoi me efekt të dëshirueshëm në këtë drejtim. Insistimi i Qeverisë së Kosovës për të mos e themeluar Asociacionin me Shumicë Serbe në Kosovë, të veshur me kompetenca ekzekutive, ka ndikuar që Veriu i Kosovës, me yshtjen e Serbisë, të kthehet në vatër problemesh të vazhdueshme, kjo për shkak se Beogradi zyrtar arrin t’i vërë në përdorim levat destabilizuese në këtë zonë.
Pas protestave të dhunshme, si rrjedhojë e zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, në muajin maj 2023 situata u përshkallëzua me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e forcave të armatosura serbe. Qeveria e Serbisë pretendoi se policët kosovarë ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, kurse Qeveria e Kosovës pohoi se ky është një akt rrëmbimi brenda territorit të Kosovës dhe për këtë ofroi disa prova faktike nga vendi i ngjarjes.
Përpos ndikimeve serioze politike, ngjarja ndërlidhet edhe me aspekte juridike, për shkak se integriteti territorial është element themelor i subjektivitetit të një shteti dhe cenimi i tij prek sovranitetin. Në kontekstin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme, qoftë për shkak të mosnjohjes së shtetit kosovar nga ana e Serbisë, qoftë për shkak të dokumenteve juridike, në të cilat është palë vetë Serbia. Në vazhdim do të paraqiten përmbledhtazi këto akte dhe problematika do të shtjellohet sipas rrafshit të tyre.
Karta e OKB-së
Karta e OKB-së afirmon që të gjithë anëtarët e OKB-së ndalojnë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare çdo kërcënim ose përdorim dhune, që drejtohet kundër paprekshmërisë territoriale ose pavarësisë politike të një shteti ose që bie ndesh me qëllimet e Kombeve të Bashkuara (neni 2/4).
Edhe pse Kosova ende nuk është anëtarësuar në OKB, Serbia është anëtare e saj. Prandaj, detyrimi që rrjedh nga kjo dispozitë e implikon shtetin serb, aq më tepër kur akoma është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe neni 25 i Kartës përcakton prerazi që anëtarët e OKB-së bien dakord të pranojnë dhe të zbatojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit.
Marrëveshja e Kumanovës
Bombardimet e NATO-s ndaj caqeve strategjike të shtetit serb e detyruan regjimin e Millosheviqit të ndalte agresionin dhe masakrat në Kosovë. Për dhënien fund bombardimeve, NATO-ja e kishte kushtëzuar Serbinë me tërheqjen e aparatit shtetëror – policor e ushtarak – nga territori i Kosovës. Kjo do të kthehej në një akordancë midis NATO-s dhe Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ), e njohur si Marrëveshja e Kumanovës, e firmosur më 9 qershor 1999 dhe e fuqizuar më 11 qershor 1999.
Nënshkruesit e Marrëveshjes së Kumanovës ishin komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Michael Jackson, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuar vite më vonë për krime lufte dhe gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës.
Sipas Marrëveshjes, të gjithë personat fizikë dhe juridikë të Serbisë me tipare të armatosura, përfshirë ushtrinë e rregullt, forcat detare, forcat ajrore, gardën kombëtare, policinë kufitare, policinë ushtarake, civilët e armatosur, paramilitarët, rezervistët, shërbimet informative, MUP-in, policinë lokale dhe speciale, forcat antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup të përcaktuar kështu nga KFOR-i, duheshin larguar nga territori i Kosovës. Me një fjalë, Serbia detyrohej t’i tërhiqte trupat e armatosura nga Kosova.
Me Marrëveshjen e Kumanovës u përcaktua një zonë sigurie ajrore prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës, kurse u përvijua një zonë prej 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në, në të cilën nuk mund të dislokoheshin armatimet e rënda dhe ushtria, përpos ushtarëve kufitarë.
Kësisoj, 12 qershori vitit 1999 shënoi datën e zbarkimit të trupave të NATO-s në Kosovë dhe njëherësh kjo nënkuptonte largimin e trupave të armatosur serbë.
Rezoluta 1244
10 qershori i vitit 1999 do të shënonte njërën ndër datat më të rëndësishme për fatin e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, kishte urdhëruar ndalimin e bombardimit të RFJ-së/Serbisë dhe po atë ditë Këshilli i Sigurisë i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244. Rezoluta parashihte dërgimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë. Misioni i KFOR-it ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, sipas trupave të shteteve: SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali.
Po kështu, pas ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë u vendos edhe misioni i përkohshëm administrues i OKB-së, ndërkaq UÇK-ja u shpërbë duke u shndërruar në TMK.
Përgjithësisht, me anë të kësaj rezolute, e cila e ka pasuar Marrëveshjen e Kumanovës, u trasua rruga e konsolidimit të pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë dhe u vendos një sistem administrimi ndërkombëtar për një vetëqeverisje të përkohshme të Kosovës deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës me anë të një marrëveshjeje të ardhshme politike.
Kushtetuta e Kosovës
Kushtetuta thekson që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm (neni 2/2) dhe se Republika e Kosovës i ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës (neni 4/7). Po kështu, Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet (neni 125/1).
Përgjegjësia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në mbarë territorin e Republikës së Kosovës i takon Policisë (neni 128/1).
Pasqyrë analitike
Rrëmbimi i tre policëve kosovarë nga forcat serbe është në disharmoni të plotë me të drejtën, për disa arsye.
Së pari, nëse ky akt ka ndodhur brenda kufijve të Republikës së Kosovës, sikundërqë pohon dhe provon Qeveria e Kosovës, atëherë kjo përbën shkelje të tërësisë territoriale, të garantuar me Kartën e OKB-së dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse.
Së dyti, ky veprim nënkupton shkelje të Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën parashihet se forcat ushtarake dhe policore të Serbisë nuk mund të hyjnë në territorin e Kosovës.
Së treti, ndonëse Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe kësisoj e ka bërë në masë të madhe të pazbatueshme brenda territorit të vet Rezolutën 1244 (e cila vazhdon të jetë në fuqi në kuadër të OKB-së), duhet theksuar se akti i rrëmbimit të policëve kosovarë paraqet gjithashtu edhe shkelje të kësaj rezolute, sipas së cilës forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe nuk do të veprojnë në Kosovë.
Së katërti, është cenuar dukshëm edhe Kushtetuta e Kosovës. Sipas këndvështrimit të shtetit serb, kjo mund të mos nënkuptojë asgjë, pasi nuk e njeh subjektivitetin shtetëror të Kosovës, mirëpo ky akt duhet ta zgjojë vëmendjen e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, bashkë me territorin dhe kushtetutën e saj. Andaj, sjellja e tillë e shtetit serb përçon porosi negative përkitazi me marrëdhëniet me shtetet njohëse të Kosovës sepse, siç dihet, veprimet intervenuese mund të prodhojnë precedentë në të drejtën ndërkombëtare.
Edhe po të merret për një çast si i mirëqenë pretendimi i Serbisë që policët kosovarë janë zënë në territorin e Republikës së Serbisë, prapëseprapë nuk është dashur të shkaktohej kjo gjendje me këtë pompozitet. Edhe kjo, për disa arsye;
Së pari, Kosova nuk e konteston integritetin territorial të Serbisë. Megjithëse njohja e ndërsjellë formale ndërmjet dy shteteve nuk ka ndodhur, asnjë zyrtar i lartë shtetëror i Kosovës nuk ka parashtruar kontestim për territorin e Serbisë. Për më tepër, as Kushtetuta e Kosovës nuk proklamon pretendime të kësaj natyre. “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti…”, thotë Kushtetuta (neni 1/3). Ndërsa, edhe zyrtarët shtetërorë serbë, edhe Kushtetuta e Serbisë (neni 182/2), afirmojnë që Kosova është pjesë autonome e Serbisë.
Së dyti, nuk mund të quhet veprim armiqësor dhe cenues i tërësisë territoriale nëse në territorin e shtetit hyjnë vetëm tre efektivë policie, madje të një moshe më të shtyrë, të armatosur me armë të lehta, dhe atë në një zonë malore ku mund të mos jetë i lehtë dallimi i vijës kufitare (larg pikës kufitare/doganore dhe larg faktorit njeri). Është i kuptueshëm hetimi për rastin, por jo edhe trajtimi poshtërues ndaj atyre policëve.
Së treti, edhe po të ishin gjendur policët kosovarë në territorin e Serbisë, zyrtarët serbë mund t’i paralajmëronin ata për tejkalim të zonës kufitare dhe t’u bënin thirrje për kthim prapa dhe vetëm në rast të rezistencës së tyre do të mund të ndërmerrej ndonjë akt ndërhyrës.
Së katërti, para se të merreshin veprime të njëanshme, do të ishte e udhës të informoheshin Brukseli e Uashingtoni, si subjekte të përfshira aktivisht në dialogun Kosovë-Serbi. Por, ja që duket sheshit se qëllimi i Serbisë nuk është zgjidhja e problemeve.
Domethënë, në secilën rrethanë do të ishte e mundur shmangia e gjithë kësaj rrëmuje.
Lidhur me gjendjen e acaruar në terren qysh pas certifikimit të zgjedhjeve lokale, KFOR-i i ka dënuar deklarativisht sjelljet e dhunshme me tone të një organizate joqeveritare dhe jo si një mision paqeruajtës me autorizimin për ruajtjen e vijës kufitare në Veri. Deklarata e KFOR-it, e datës 17 qershor 2023, ishte e habitshme për shkak se përdori një gjuhë përgjithësuese, pa i specifikuar përgjegjësit e këtyre sulmeve (shih: https://twitter.com/NATO_KFOR/status/1670060100386447361?ref_src=twsrc%5Egoogle%7Ctwcamp%5Eserp%7Ctwgr%5Etweet).
Krahas elementeve të sipërpërmendura, protestat e dhunshme në katër komunat veriore të Kosovës, ku u atakuan gazetarë kosovarë dhe pjesëtarë të KFOR-it, krijuan një përshtypje tek opinioni i gjerë se KFOR-i lë për të dëshiruar në mbarështimin e rasteve të përplasjes fizike në zona urbane. Përvoja e tillë kryesisht gjendet te pjesëtarët e policisë dhe më pak te ata të ushtrisë, siç është KFOR-i. Megjithëkëtë, insistimin e faktorit ndërkombëtar që situatën të mos e menaxhojë Policia e Kosovës, por KFOR-i, duhet konsideruar si një gjest politik ndaj Serbisë, por jo edhe si zgjidhje efektive. Fundja, mandati i KFOR-it është ruajtja e kufirit të Kosovës me Serbinë, ndërkaq ruajtja e rendit publik bën pjesë në mandatin e policisë.
Indikative ka qenë edhe një deklaratë e shefit të diplomacisë së BE-së, Josef Borell. Përveçse kërkonte që Policia e Kosovës të tërhiqej nga godinat e komunave, Borell-i i bënte thirrje Serbisë që t’i hiqte elementët radikalë nga Veriu (shih: https://zeri.info/aktuale/495266/borell-kurtit-te-terhiqet-policia-afer-ndertesave-te-komunave-ne-veri-serbise-i-kerkojme-ti-heq-elementet-radikale/). Kjo lë të kuptohet se BE-ja e ka të qartë që Beogradi zyrtar i shfrytëzon grupet radikale të dhunshme në këtë pjesë të Kosovës. Megjithëkëtë, nuk është vënë re ndonjë masë ndëshkuese për Serbinë nga ana e BE-së.
Faktori ndërkombëtar duhet të ndjekë qëndrim proaktiv në uljen e tensioneve në rajon dhe të ndërmjetësojë dobishëm në lirimin e policëve të rrëmbyer politikisht, meqenëse Kosova dhe Serbia vazhdojnë të konservojnë pozicione diametralisht të kundërta. Në fund të ditës, të gjithë duhet të jenë unanimë sa i përket mospranimit të shantazheve të tilla ndaj Kosovës, të cilat i thellojnë edhe më tej mosmarrëveshjet mes dy vendeve dhe bien në kundërshtim flagrant me normativin juridik. /revistashenja