Këtë të martë mbahet seanca plenare në Kuvend, ku pritet votimi nen për nen i buxhetit 2025.
Për këtë të fundit janë mbajtur diskutime maratonë në sallën e Parlamentit e debate të ashpra mes opozitës e mazhorancës.
Ky buxhet është më i “majmi” ndonjëherë, 3 herë më i madh se ai në vitin 2013. Në seancën e datës 19 Nëntor, pikat kryesore të këtij projekt-buxheti i prezantoi vetë kryeministri Edi Rama.
Parashikohet që 8 miliardë Euro të jenë në dispozicion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vend, ku prioritet për qeverinë është mbështetja për pensionistët, rritja e pagave dhe projektet në infrastrukturë.
Sipas kreut të qeverisë, 1.3 mld Euro do shkojnë vetëm për rritjen e pagave. Ai njoftoi trefishimin e bonusit të fundvitit për pensionistët dhe një të tillë çdo pranverë pasuese. Krahas tyre, do punohet për një plan të ri për t’iu ardhur në ndihmë financiarisht shtresave vulnerabël. Ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar po ashtu se në 2025-ën, norma e papunësisë do zbresë me 9.8%. Ndërsa është rritur me 40.4% buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Këto e të tjera, për krahun opozitar janë asgjë tjetër veçse propagandë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare. Nisur nga seancat e fundit, parashikohet që edhe sot të ketë tension mes palëve. Vlen të theksohet po ashtu se pas afro 1 viti, rikthehet në Kuvend kryedemokrati Sali Berisha, i cili deri pak ditësh ishte në arrest shtëpiak.