Vendimi i Gjykatës së Hagës për të dënuar me burgim të përjetshëm ish-komandantin serbo-boshnjak Ratko Mladic, duhet të shërbejë si shembull se të gjithë ata që kanë kryer mizori ndaj njerëzimit, do të ndëshkohen.
Paralajmërimi vjen nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, i cili deklaroi se dënimi i Mlladiç është mishërim i drejtësisë ndërkombëtare në një intervistë për agjensinë prestigjioze të lajmeve Reuters.
I pyetur nëse paralajmërimi i tij përfshin edhe presidentin sirian Bashar al-Assad, Zeid foli me tone pohuese. “Është shumë e qartë për ne se ajo që ndodhi së fundmi në Siri dhe jo vetëm aty, por edhe në shumë pjesë të tjera të botës, është kaq groteske, saqë një gjykatë do të ndiqte penalisht krerët e shteteve dhe do t’i dënonte bazuar në prova,” deklaroi Zeid me tone të forta.
Assad dhe regjimi i udhëhequr prej tij mohojnë se kanë abuzuar dhe deklarojnë se janë përfshirë në një përpjekje kundër grupeve terroriste si ISIS-i, por provat e mbledhura nga komisioni hetues i OKB për Sirinë tregojnë se qeveria Assad është përgjegjëse mes të tjerash për përdorimin e armëve kimike kundër civilëve.
Kujtojmë se lufta civile siriane, tashmë në vitin e saj të shtatë, i ka marrë jetën qindra mijëra personave dhe ka nxitur krizën më të rëndë të refugjatëve në botë.