Pretendohej kalimi i Grupit, por në fund nuk arriti të marrë asnjë pikë, duke u larguar nga kualifikueset e Kampionatit Europian për moshat deri në 17 vjeç me tre humbje.
Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve është mposhtur edhe nga Maqedonia, këtë herë me rezultatin 2-1.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa 45 minutat e dyta, kombëtarja shqiptare i nisi mirë duke gjetur golin në minutën e 52 me anë të Bullarit, raporton tch. Por ky avantazh ka zgjatur vetëm 2 minuta pasi maqedonasit barazojnë me Kolevskin.
Vetëm 10 minuta më pas, shënon një tjetër shqiptar, Ferati, por që në këtë ndeshje mbante veshur fanellën e Maqedonisë. Rezultati 2-1 mbeti i pandryshuar deri në fundin e takimit, megjithëse të besuarit e trajnerit Mustedanagic u hodhën në sulm për të gjetur barazim.
Në tre ndeshje, me Italinë, Serbinë dhe e fundit me Maqedoninë, kombëtarja e 17 vjeçarëve regjistroi 3 humbje, duke zënë vendin e fundit në renditje të këtyre eliminatoreve.