Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas Hollivudit, edhe në BE raportohen ngacmime seksuale

Pas Hollivudit, edhe në BE raportohen ngacmime seksuale

European Parliament member Terry Reintke (C) holds a placard with the hashtag "MeToo" during a debate to discuss preventive measures against sexual harassment and abuse in the EU at the European Parliament in Strasbourg, France, October 25, 2017. REUTERS/Christian Hartmann

Pas shpërthimit të skandalit seksual që përfshiu producentin e “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, tema është kthyer në një prej më të debatuarave në botë. “Me too” (Edhe unë) është hashtagu më i shpërndarë i momentit në “Twitter”, ndërsa të shumta janë gratë që rrëfejnë historitë e tyre të abuzimeve.

Të mërkurën, edhe Parlamenti Europian u përball me demonët e tij, ndërsa ligjvënësit bënë thirrje për të luftuar shantazhet seksuale. Debati u zhvillua mes pretendimeve për abuzime të shumta seksuale në institucionet e BE-së, përfshirë raportime për përdhunime në stafin parlamentar.

“Mendoj se çdo grua, ose një në 3 gra ka qenë viktimë e ndonjë forme dhune fizike apo seksuale. Por statistikat nuk tregojnë mjaftueshëm histori personale, e arsyeja për të cilën po debatojmë sot është për shkak të lëvizjes globale ‘Edhe unë’. Histori të vërteta, të cilat ishin mbajtur të fshehta deri më tani, kanë shpërthyer në rrjetet sociale”, tha Cecilia Malmstrom, Komisionere për Tregtinë.

Disa prej parlamentareve rrëfyen historitë e tyre personale të abuzimeve, mes të cilave italiania Eleonora Forenza, e cila tha se ishte ngacmuar nga një profesor në moshën 19-vjeçare. “Edhe unë” tha gjithashtu Terry Reintke, nga Partia e Gjelbërt.

“Edhe unë jam ngacmuar seksualisht, si miliona gra në Bashkimin Europian. Mendoj se ka ardhur koha të themi se nuk duhet të turpërohemi. Janë autorët e këtyre veprave që duhet të kenë turp”, tha Terry Reintke, europarlamentare.

Më shumë se 30 pretendime për përdhunime, sulme dhe shantazhe seksuale, janë lidhur me Parlamentin Europian javën e kaluar, përmes anonimatit. Asnjë prej tyre nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

 

Exit mobile version