Pas Haris Kelmendit IPK arreston edhe një zyrtar për keqtrajtimin e 18-vjeçarit

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit te detyrës zyrtare”

Ky arrestim vie disa ditë pasi i njëjti ishte suspenduar nga puna me rekomandim te Inspektoriatit Policor.

Në vazhdim ju sjellim komunikatën e plotë të IPK – së:

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar  sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së.

Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim)  në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.

Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që

IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Kujtojmë se disa ditë më parë ishte arrestuar edhe një tjetër zyrtar policor nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë në një 18 vjeçar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.