Pas hapjes së aeroportit Zemaj u drejtohet bashkatdhetarëve: Kosova ju mirëpret

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u është drejtuar bashkatdhetarëve pas rihapjes së Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës ‘Adem Jashari’

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se pas hapjes së Aeroportit, Kosova mirëpret mërgatën.

Postimi i plotë:

Aeroportin e hapëm. Kosova ju mirëpret! Mirësevjen mërgatë!

Gjatë muajve të verës ju jeni energjia e atdheut. Ju i jepni shpirt dhe e gjallëroni vendin.

Paratë e djersës, remitancat që dërgoni janë frymëmarrja dhe vrulli i ekonomisë së Kosovës.

Atje ku jetoni jeni krenaria jonë! Ju çdo ditë e ndjeni mungesën e vendlindjes, zemrën e mendjen e keni në Kosovë, sikurse dhe ne tek ju.

Këta muajt e fundit pandemia Covid-19 ka shkaktuar mbylljen e kufijve dhe brutalisht na ka ndarë.

Që nga dita e parë ne si Qeveri kemi vënë në lëvizje tërë potencialin e ministrisë që të mundësohej sa më parë hapja e aeroportit “Adem Jashari”.

Sapo të zbrisni nga aeroplani në tokën e Kosovës mos u bezdisni nëse mjekët tanë do t’iu bëjnë matjen e temperaturës trupore ose ndonjë kontroll mjekësor.

Këtë e bëjnë për ta parandaluar përhapjen e virusit.
Me padurim presim t’iu takojmë!
Mirë se vini!

Exit mobile version