Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim me grupet e rezistencës palestineze në Gaza, konfirmuan mediat izraelite dhe zyrtarët e Hamasit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Hamasit dhe burimeve izraelite, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti do të hyjë në fuqi që nga ora 2:00 e mëngjesit të së premtes.
“Izraeli nuk ia doli të arrijë asnjë qëllim të agresionit të tij dhe iku nga beteja me rezistencën palestineze”, tha zëdhënësi i Hamasit Sami Abu Zuhri për AA në një reagim të parë zyrtar në lidhje me armëpushimin.
Për më shumë se dhjetë ditë, Izraeli ka kryer sulme në Rripin e bllokuar të Gazës.
Të paktën 232 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji, sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza. Gjatë sulmeve janë shënjestruar qendra shëndetësore, zyra mediatike dhe lagje të banuara.
Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj adhuruesve në Xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Në vitin 1980, ai aneksoi gjithë qytetin, hap ky që nuk është njohur kurrë nga bashkësia ndërkombëtare. /aa