PRESHEVË (AA) – Pas 20 vitesh që nga koha kur preshevarja e parë arriti të bëhet hafize, Preshevës i shtohet edhe një hafize tjetër në moshën 18-vjeçare, e cila filloi me memorizimin e Kur’anit në muajin mars të vitit 2015 dhe përfundoi në muajin nëntor të këtij viti. Ajo vitin e kaluar përfundoi shkollën e mjekësisë, ndërsa aktualisht është nxënëse në shkollën e Hivzit të Kur’anit në Preshevë. Në këtë komunë, gati 15 vite po ashtu nuk ka dal asnjë hafëz mashkull.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), hafizja e dytë në Preshevë, Elma Zejnullahu, thotë se asnjëherë nuk e ka menduar që të mësojë Kur’anin, për shkak se i është dukur si diçka e vështirë dhe e pamundur, por fal ndihmës së mësuesit të saj i është mundësuar të provoj dhe të arrijë të bëhet hafize.
“Unë kam menduar se do të kem vështirësi në shkollë, por përkundrazi duke mësuar Kur’anin, Zoti mi ka lehtësuar edhe punët e tjera, përfshirë edhe shkollën. Jo vetëm që do ta lehtësojë memorizimin e Kur’anit deri në fund, por do të lehtësoj dhe do të mësoj edhe shumë sende të tjera”, thekson Zejnullahu.
Mësimi i Kur’anit, ndjenjë që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër në botë
Zejnullahu në vijim thekson se edhe pse në rrethin e saj ku jeton ndjehet si e vetmuar, mësimi i Kur’anit i ka ngjallur një kënaqësi shpirtërore, ndërsa përmes leximit të tij, ajo thotë se: “Zoti më ka treguar shumë sende, prandaj dhe u lidha shumë me Kur’anin. Kjo më ka dhënë një kënaqësi shpirtërore aq të madhe sa që këtë ndjenjë nuk e kam me asnjë mësim tjetër dhe me asnjë send tjetër në këtë botë.”
Zejnullahu e cila rrjedh nga një familja pa hoxhallarë dhe hafëzllar, në periudhën fillestare të mësimit të Kur’anit nuk ka praktikuar mbulesën, por siç thotë ajo, Kur’ani të mëson shumë gjëra, të udhëzon në rrugë të drejtë dhe të nxjerr në dritë, pa marrë parasysh vështirësitë që ke përpara.
“Leximin e Kur’anit, në të njëjtën kohë e kam pasur si këshillues që më ka ndihmuar dhe mi ka hapur rrugët për çdo dilemë që kam pasur”, shprehet Zejnullahu.
Femra duhet të edukohet me arsim të mirëfilltë që ta përdor në dobi të shoqërisë
Hafizja e dytë në Preshevë thotë se është një fatkeqësi për kohën tonë, jo vetëm për popullin shqiptar, por në përgjithësi, sepse femra gjithmonë trajtohet apo mendohet si një qenie e dobët. Ajo shton se femra është si shkëmbi dhe mund të përballojë shumë gjëra.
“Femra duhet të punojnë dhe të jenë shembull për 11 meshkuj të tjerë. Nëse angazhohet dhe punon, por gjithmonë duke ruajtur moralin, femra mund të arrijë shumë, sepse ajo është jo gjysma, por e tërë shoqëria, themeli i shoqërisë. Ajo i edukon brezat, i edukon edhe vet burrat”, shprehet Zejnullahu, duke porositur femrat që të ruajnë moralin dhe të edukohen në arsim të mirëfilltë të cilin do ta përdorin në dobi të shoqërisë.
Ajo apelon që femrat të ndjekin mësimet Kur’anin, pasi që siç thotë ajo, nuk do të thotë se nëse merren me leximin apo memorizimin e Kur’aninit mbetesh anash me mësimit tjera. Ajo thotë se kjo vetëm do t’u jap më shumë vullnet dhe do t’u hap rrugët e suksesit në të gjitha sferat e jetës.
Elma Zejnullahu në moshën 16-vjeçare boton librin me poezi “Trazirat e Shpirtit”
Pasion i Elma Zejnullahut që në moshë të vogël ishin edhe shkrimet e ndryshme nëpër aktivitete shkollore dhe revista. Grumbullimi i shkrimeve dhe poezive të saj, në moshën 16-vjeçare pasuan me një libër me poezi për të rritur të titulluar “Trazirat e Shpirtit”.
Temat kryesore të librit bazohen kryesisht në aktualitet, ndërsa fjalët kyçe kanë të bëjnë me këshillën dhe optimizmin. Autorja synon që libri i saj të ndikojë te njerëzit, veçanërisht rininë e Preshevës ta pajis me dritën e besimit dhe udhëzimit.