Partitë turke në Kosovë të gatshme për zgjedhjet e 14 shkurtit

Partitë turke në Kosovë janë të gatshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka dhe ai i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore (YTHP), Ertan Simitçi u prononcuan për Anadolu Agency (AA) lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Damka pohoi se Kosova e cila më 17 shkurt do të festojë 13-vjetorin e pavarësisë ende nuk ka adresuar disa çështje në rrugën drejt shtetësisë.

“KDTP, pavarësisht që çdo herë pranë saj dalin parti tjera turke, ka fituar të drejtën të jetë adresa e vetme dhe ka fituar të drejtën e përfaqësimit të komunitetit turk. Ky është demonstrimi i mbështetjes së popullit tonë për shkak të punimeve që ka bërë partia jonë”, tha Damka.

Duke rikujtuar se paqëndrueshmëria politike e shkaktuar nga rrëzimi i dy qeverive gjatë periudhës së pandemisë ka ndikuar shumë ndaj ekonomisë, ai theksoi se paqëndrueshmëria politike gjithashtu është shkaktuar për shkak të formimit të 8 qeverive gjatë pavarësisë 13-vjeçare.

Sipas tij, prandaj, komunitetet në Kosovë po përjetojnë vështirësi në ushtrimin e të drejtave tyre.

Damka bëri të ditur se planifikojnë të ulen në tryezë me qeverinë e re që do të vijë në detyrë për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit turk në Kosovë. “Qëllimi ynë, i komunitetit turk, brenda kësaj strukture është që të ruajë vendin, pozitën e tij brenda komunitetit që përbën shumicën në Kosovë si dhe përdorimin më të mirë ligjor të të drejtave të parapara me ligjet. Unë besoj se KDTP do të demonstrojë këtë”, u shpreh ai.

Damka thekson se pakicat ndikohen më shumë në çështjet që prekin të gjitha komunitetet si arsimi, shëndetësia dhe punësimi. “Shpresoj që një qeverie të qëndrueshme do t’i jepet mundësi për eliminimin e këtyre, gjithashtu do të na mundësohet që të mund të parashikojmë 4 vite dhe realizimin e premtimeve tona brenda këtyre 4 viteve”, tha Damka.

Damka: “Turqit nuk e kanë luksin e ndarjes”

Kryetari i KDTP-së foli edhe në lidhje me problemet rreth arsimit të gjuhës turke në Kosovë. Sipas tij, në plan afatgjatë nevojiten hapa serioze për të gjeneruar zgjidhje, duke nënvizuar zgjidhjen e problemit në lidhje me kurrikulën dhe librat shkollorë.

Ai rikujtoi projektin e bursave në vend të cilën e kanë zhvilluar në bashkëpunim me Presidencën e Turqisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB), në mënyrë që arsimi turk të mbijetojë. Ai tha se në kuadër të këtij projekti të realizuar nga Shoqata e Mësimdhënësve Turq të Kosovës u janë mundësuar bursa rreth 400 nxënësve të klasave të para dhe të dyta.

Për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ai potencon se duhet të përdoren më shumë lidhjet me Turqinë. “Falë investimeve të shumta të biznesmenëve turq në Kosovë, mund të mundësojmë punësimin më të lehtë të të rinjve tanë që kanë studiuar në Turqi, si dhe atyre që janë këtu”, tha Damka.

Damka potencoi se turqit e Kosovës nuk e kanë luksin e ndarjes. “Numri i popullsisë sonë në Kosovë dihet, është pak. Prandaj, nuk kam dyshim se me ndarjen në dy të një popullsie të vogël, prania e dy zërave të ndryshëm në Kuvend, mosveprimi së bashku do të shkaktojë probleme serioze lidhur me të drejtat e komunitetit tonë”, tha Damka duke shtuar se:

“Në disa vende u mundova ta jap shembullin e Maqedonisë (së Veriut). Në Maqedoni (e Veriut) mund të vërejmë probleme të ndryshme për shkak se deputetë nga dy parti turke të ndryshme nuk janë bashkuar nën një çati. Jeni të sigurt që përderisa jemi një edhe zëri ynë do të jetë më i fuqishëm në qeveri dhe do të jemi më të fuqishëm. Kjo në afatshkurtër dhe atë afatgjatë do të vë komunitetin turk në telashe”.

Ai më tej foli edhe në lidhje me iniciativën si KDTP që çdo turk që jeton në Kosovë të bëhet shtetas i Republikës së Turqisë. “Nga kjo nuk do të heqim dorë, ndoshta vazhdojmë të punojmë për të gjetur formula të ndërmjetme por synimi ynë përfundimtar është që çdo turk i regjistruar në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, të ketë shtetësinë e atdheut, Republika e Turqisë”, shtoi Damka.

Simitçi: Si parti, vendosëm synimin e së ardhmes 2030

Kreu i YTHP-së, Simitçi tha se problemi më i madh me të cilin komuniteti turk në Kosovë po përballet buron nga dështimi për të ushtruar plotësisht të drejtën për punësim në sektorin publik, duke shtuar se të rinjtë e diplomuar në universitetet e Turqisë përjetojnë vështirësi për të gjetur punë kur kthehen në vendin e tyre.

Simitçi tërhoqi vëmendjen se në politikën e Kosovës është duke ndodhur një ndryshim dhe se turqit e Kosovës duhet të kontribuojnë në këtë ndryshim duke marrë përgjegjësi.

Sipas tij, në rast se të dy partitë në skenën politike të Kosovës do të veprojnë së bashku do të rritet përqindja e votave të komunitetit turk në vend.

“Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në drejtim të ndryshimit politik që do të ndodhë në Kosovë dhe formimit të një qeverie të qëndrueshme, jam i sigurt që në rast se marrim pjesë në pushtet, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë do të forcohen. Do të bëhet më e shëndetshme dhe ne si YTHP dhe komuniteti turk do të ndërmarrim përkushtimin dhe përgjegjësinë e nevojshme për përhapjen e kësaj në një plan afatgjatë”, theksoi Simitçi.

Ai foli edhe në lidhje me rënien e numrit të nxënësve me mësim në gjuhën turke në Gjilan dhe Mitrovicë. “Komuniteti turk që jeton në Kosovë deri më tani nuk kishte një synim. Ne si parti, vendosëm synimin e së ardhmes 2030. Të gjitha punimet që duhet të bëhen deri në vitin 2030 janë në programin dhe deklaratën tonë për zgjedhjet, por një ndër çështjet më të rëndësishme është përfaqësimi në sektorin publik, zhvillimi i arsimit turk dhe përkujdesje ndaj bashkëkombësve ose qytetarëve me origjinë kosovare që jetojnë jashtë vendit”, tha Simitçi.