Partitë shqiptare pa gjasa në Mitrovicë të Veriut, Lista Serbe e pasfiduar edhe nga partitë e komunitetit

Më 29 nëntor, Mitrovica e Veriut dhe Podujeva do të mbajnë zgjedhjet e parakohshme për shkak se kryetarët e këtyre dy komunave kanë marrë pozita ekzekutive në qeverinë e Avdullah Hotit.

Por, derisa në Podujevë partitë politike do të garojnë për vendin e parë dhe kjo garë mendohet të jetë e ngushtë, duket se më pak probleme dhe dilema rreth fituesit do të ketë në Mitrovicën e Veriut.

Atje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 29 nëntorit kanë pranuar vetëm 4 aplikime për certifikim të kandidatëve për zgjedhjet lokale.

Përveç Listës Serbe, për veriun e Mitrovicës do të garojnë edhe një kandidat i pavarur, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Por, pse Lista Serbe nuk u sfidua nga asnjë subjekt tjetër politik serb dhe sa kanë gjasa partitë politike shqiptare ta sfidojnë Listën Serbe në Mitrovicën e Veriut?

Sipas analistit Jeton Brajshori, fuqia e Listës Serbe në veri fshihet pas përkrahjes të madhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe pasi ata kanë vend të sigurt në Kuvendin e Kosovës dhe në qeveri.

“Zgjedhjet e 29 nëntorit në Mitrovicën e Veriut do të jenë sfidë edhe për vet shtetin tonë. Lista Serbe e cila kontrollohet dhe financohet nga pushteti i Vuçiqit synon të marrë edhe një mandat “të lehtë” në këtë komunë. Duhet se në zgjedhjet e fundit në Serbi, komuniteti serb nga Mitrovica e Veriut kanë votuar me gati 90 për qind për partinë e Vuçiqit. Pasi që Kushtetua jonë ka rezervuar vendet për ta në qeveri, nga përvojat e mëhershme jemi në dijeni se nuk vendos fare Lista Serbe, por vendos Beogradi, të cilët përmes kësaj liste vazhdimisht kërcënojnë secilën qeveri në pushtet”, tha Brajshori.

Sipas Brajshorit, Lista Serbe e ka shfrytëzuar përkrahjen nga Beogradi zyrtar për t’i eliminuar politikisht kundërshtarët potencialë.

Ai gjithashtu është shprehur se çdo kandidat tjetër në veri të Kosovës që nuk vjen nga Lista Serbe, nga komuniteti serb atje konsiderohet si i padenjë dhe për këtë arsye askush nga partitë tjera serbe nuk e sfidon këtë subjekt.

“Të gjitha partitë tjera serbe që kanë qenë për bashkëpunim të mirëfilltë me qeveritë tona janç shpallur tradhtare, janë linçuar dhe sulmuar liderët e tyre. (Nenad Rashiq, Slobodan Petroviq). Ish kryetari i kësaj komune, tani zv.kryeministër, Goran Rakiq ka ndikim të madh në atë zonë dhe i ka eliminuar politikisht kundërshtarët e tij, kjo me ndihmen e përhershme nga Vuçiq dhe kjo është arsyeja pse vetëm Lista Serbe ka kandidat për kryetar, sepse çdo kandidat tjetër do të konsiderohej nga komuniteti serb atje si i padenjë dhe nuk ka rrezikuar askush të përballet me ta, pra në zgjedhje ku fituesi vetëm dihet”, tha ai më tutje.

E lidhur me gjasat e partive shqiptare për ta sfiduar Listën Serbe në veri, Brajshori thotë se janë minimale. Sipas tij, zgjidhja ideale do të ishte që të gjitha partitë shqiptare të bashkohen me një kandidat.

Ai tutje shton se pozitiv është fakti që partitë shqiptare nuk po i dorëzohen presionit dhe me të drejtë po kërkojnë të faktorizohen politikisht në atë pjesë të Kosovës.

“Spastrimi etnik që ka ndodhur në veri që nga paslufta dhe jo-serioziteti i të gjitha qeverive në pushtet të merren me atë pjesë, ka dobësuar shumë faktorin politik shqiptar. Zgjidhja ideale do të ishte që gjitha partitë shqiptare të bashkohen dhe të dalin me një kandidat të vetëm ku do të sfidonin më seriozisht Listën Serbe sa i përket kryetarit. Kështu secila parti me kandidat të vetin gjasat që të sfidohet Lista Serbe janë pothuajse zero. E vetmja gjë pozitive është që nuk janë dorëzuar përballë gjithë atij presioni nga të gjitha anët dhe me të drejtë kërkojnë të faktorizohen politikisht në komunën e tyre”, tha Brajshori në fund.

Zgjedhjet e fundit në Mitrovicën e Veriut i kishte fituar bindshëm Lista Serbe me 95.2 për qind, derisa PDK kishte marrë 3.1 për qind dhe 1.6 për qind VV-ja.