Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin konsultativ me përfaqësuesit e subjekteve politike dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta për organet vetëqeverisëse lokale.
Ashtu siç është përcaktuar në nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, presidenti Thaçi ka thënë se caktimi dhe shpallja e datës së zgjedhjeve lokale bëhet pas konsultimit me partitë politike.
“Zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale mbahen ditën e diele për çdo katër vite. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit. Dhe sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke marrë parasysh se zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur me 3 nëntor 2013, ndërsa certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor për anëtarë të kuvendeve komunale dhe shumicës së kryetarëve të komunave është bërë më 11 dhjetor 2013, presidenti Thaçi ka thënë se jemi brenda afateve ligjore për të vepruar për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Edhe Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpreh e gatshme të organizojë zgjedhjet e rregullta për organet vetëqeverisëse lokale dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre.
Shumica e përfaqësuesve të subjekteve politike propozuan që data e zgjedhjeve lokale të caktohet 22 tetori.
Pas propozimeve të tyre, duke u bazuar në afatet ligjore të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, presidenti Thaçi tha se këto ditë do ta caktojë dhe shpallë datën e zgjedhjeve të sivjetme lokale.