“Partitë politike të Maqedonisë janë të gatshme për zgjedhjet e 11 dhjetorit”

Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Republikën e Maqedonisë, Ivo Vajgl, i cili së bashku me eurodeputët Knut Fleckestein dhe Eduard Kukan qëndruan në vizitë njëditore në Maqedoni, ku dhe zhvilluan takime me partitë politike, deklaroi se “të gjitha partitë politike janë të gatshme për një garë të drejtë dhe transparente në zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilat do të mund të zhvillohen në një atmosferë të besimit dhe transparencës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Vajgl duke theksuar se në emër të Parlamenti Evropian, së bashku me dy kolegët e tij përpiqen të ndihmojnë daljen e vendit nga kriza politike, shtoi se në kuadër të vizitës së tyre, janë takuar edhe Prokuroren Speciale për të cilën shprehu interes dhe mbështetje për punën e këtij institucioni.

“Të gjitha partitë politike janë optimiste për rezultatet që ata janë duke pritur dhe në të njëjtën kohë ekziston një bashkëpunim mes liderëve për shmangien e komplikimeve dhe incidenteve gjatë fushatës parazgjedhore. Ne kemi një arsye shumë të mirë për të besuar se zgjedhjet do të jenë të drejta dhe do të jenë fillimi i një kohe të re të Maqedonisë. Natyrisht, pas zgjedhjeve është koha e njohjes së rezultateve të tyre dhe të vazhdohet me reformat që janë përcaktuar në Marrëveshjen e Përzhinës”, deklaroi Vajgl.

Ndërkaq, eurodeputeti Knut Fleckestein dhe Eduard Kukan apeluan te qytetarët për të dal në votime sa më masovikisht, pasi që sipas tyre këto zgjedhje parlamentare do të jenë me vota të fshehta dhe të rëndësishme për Maqedoninë.

Tre raportuesit e Parlamentit Evropian për Republikën e Maqedonisë vizituan vendin me qëllim për t’u informuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor. Përveç takimeve me partitë politike, delegacioni treanëtarësh i PE-së realizoi takime edhe me Prokuroren Speciale Publike, Katica Janeva, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.