Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Partia Komuniste Kineze ndërhyn edhe në tekstet shkollore

Partia Komuniste Kineze ndërhyn edhe në tekstet shkollore

This photo illustration taken in Beijing on August 31, 2021 shows a primary school textbook featuring photographs and quotes from China's President Xi Jinping. (Photo by Noel Celis / AFP)

Kur nxënësit kinezë filluan vitin e ri shkollor të mërkurën (1 shtator) gjetën tekste të reja mësimore në të cilat përfshiheshin mendimet e presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Partia Komuniste e Kinës synon të fuqizojë kultin e presidentit tek fëmijët dhe të krijojë një brez të ri patriotësh.

Ministria e Arsimit e Kinës ka thënë se do të përfshijë ideologjinë politike në planprogramin mësimor, nga shkollat fillore e deri tek nivelet e diplomimit.

Ndërsa Qeveria kineze ka thënë se mësuesit e shkollave fillore duhet të “mbjellin farat e dashurisë për partinë, vendin dhe socializmin”.

Kur i hapën librat e rinj shkollorë, nxënësit kanë lexuar citatet e presidentit të shoqëruara me fotografitë e tij.

Thëniet e tij kishin të bënin me arritjet e qytetërimit kinez dhe rolin e Partisë Komuniste në zbutjen e varfërisë dhe luftimin e pandemisë së COVID-19.

“Gjyshi Xi Jinping është shumë i zënë me punë, por pavarësisht se sa i zënë është, ai prapë i bashkohet aktiviteteve tona dhe kujdeset për rritjen tonë”, thuhej në një libër shkollor.

Disa prindër u shprehën të shqetësuar në lidhje me këtë planprogram, por refuzuan të intervistoheshin nga AFP, nga frika se do të kishin probleme me autoritetet nëse flasin për mediat e huaja.

Megjithatë, komentuesit anonim në rrjetet sociale e kanë kundërshtuar masën.

“Shpëlarja e trurit fillon që nga fëmijëria”, shkroi një përdorues i platformës së mediave sociale Weibo.

“A do të mund ta refuzojmë këtë?” pyeti një tjetër.

Wang Fei-Ling, një profesor i çështjeve ndërkombëtare në Georgia Tech Institute në SHBA , tha se duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në katër dekadat e fundit “shumë prindër dhe studentë mund të mos e pëlqejnë këtë por shumë pak prej tyre do të guxonin ta kundërshtonin publikisht”.

“Mbase shumica nuk do ta marrin shumë seriozisht”, tha ai. /rel

Exit mobile version