Parregullsitë në zgjedhjet e Drenasit

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit janë shoqëruar me parregullsi sikurse edhe gjatë viteve të kaluara.

Ndër shkeljet që e kanë shoqëruar këtë proces kanë qenë: votimet familjare, publikimet e votës, prezenca e personave të paautorizuar në sallën e vendvotimeve, prania e materialit propagandues. Kështu kanë deklaruar të dielën përfaqësuesit e Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ).

Një ndër anëtarët e këtij Koalicioni, Driton Selmanaj, duke folur për procesin zgjedhor në Drenas ka vlerësuar se këto parregullsi janë duke u shndërruar në një kulturë të keqe elektorale, shkruan gazeta ‘Zeri’.

“Ajo që është shqetësuese sipas vëzhguesve tanë është parregullsia shqetësuese, e cila ka përcjellë edhe këtë elektoral që si duket janë duke u shndërruar në kulturë të keqe elektorale për vendin”, ka deklaruar Selmanaj. Pavarësisht kësaj, ai e ka vlerësuar procesin zgjedhor në Drenas si të suksesshëm.

“Koalicioni vlerëson se në përgjithësi procesi i votimit dhe i numërimit në komunën e Drenasit ka qenë i lirë, i drejtë dhe demokratik, përkundër faktit që në disa zona të zgjedhjeve vëzhguesit tanë kanë raportuar për një numër shkeljeje zgjedhjesh dhe sipas vlerësimit tonë ato janë raste të izoluara”, ka potencuar më vonë Selmanaj.

Sipas tij, reagimi i institucioneve të drejtësisë karshi incidenteve të këtij procesi ka qenë profesional e i pa heziteshëm.

“Sidoqoftë, Koalicioni vlerëson se zgjedhjet e 4 dhjetorit edhe pse të jashtëzakonshme kanë qenë mirë të organizuara edhe nga ana e institucioneve, të cilat administrojnë me procesin zgjedhor”, ka përfunduar ai.