Drejtuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Për dijeni Komitetit Shtetëror të Kulteve
Të gjithë publikut të interesuar dhe të shqetësuar për mbarëvajtjen e punëve në KMSH
Zyrtarisht në bazë të rregullores së brendshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zgjedhjet e Këshillave, duke nisur nga xhamitë e Shqipërisë e duke vazhduar me Këshillat e Myftinive dhe më pas për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm është një proces që kryhet një herë në katër vite. Po në bazë të kësaj rregulloreje organizimi për zgjedhjet e Këshillave të xhamive nis në qershor të vitit përkatës, kurse për Këshillat e Myftinive në muajin pasues korrik. Kjo për sa i përket anës formale të procedurave nga të cilat janë shkelur me të dyja këmbët në përgjithësi, sidomos në xhamitë e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Shembulli më i keq në këtë drejtim është xhamia e Kokonozit në Tiranë, e cila po i zhvillon zgjedhjet e këshillit me 12 gusht, krejtësisht jashtë afateve, duke u lënë jashtë procesit të zgjedhjeve për anëtarët e këshillit të Myftinisë së Tiranës.
Shkelja e parë dhe më e rëndë është bërë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili nuk e ka shpallur publikisht fillimin dhe hapjen e këtij procesi të rëndësishëm për mbarëvajtjen e jetës së brendshme të xhamive dhe myftinive. Kjo e dëmton shumë legjitimitetin e punës dhe të stafeve përkatëse duke nisur nga KMSH e më pas me myftinitë përkatëse. Procesin e lajmërimeve duhet ta vazhdonin Myftinitë e kështu me radhë xhamitë kryesore të qyteteve, e me radhë edhe nëpër fshatra. Fatkeqësisht nga informacionet e mbledhura në terren janë imamët, të cilët nuk kanë treguar kujdes për njoftimet dhe i kanë kryer thjesht me biseda celularësh, duke njoftuar në pjesën më të madhe një rreth të zgjedhurish dhe duke marrë mbi supe edhe barrën e përfaqësimit të xhamive. Ndërkaq rregullorja dhe statuti nuk e sanksionojnë qartë, që kush mund të shkojë si përfaqësues nga këshilli i xhamisë për në mbledhjen ku do të vendoset se kush do të jetë anëtar në Këshillin e Myftinisë, e me radhë për në Këshillin e Përgjithshëm.
Në këto përzgjedhje nga imamët dhe drejtuesit e myftinive ka mbizotëruar fryma e përzgjedhjes selektive sipas miqësive dhe bashkëpunimeve të dyshimta. E kjo ka ardhur për pasojë, se procesi nuk ka qenë i hapur dhe kandidaturat nuk janë bërë më heret publike. Kandidatët janë përzgjedhur për shkak të miqësisë dhe jo të meritokracisë apo kontributit të dhënë prej tyre në komunitet apo përreth xhamisë.
Numrat e këshilltarëve sipas rregullores në disa myftini janë shkelur duke mos ju lënë radhën të tjerëve të votohen e për pasojë të marrin pjesë në këshill persona të pranishëm gjatë zgjedhjeve, të cilët nuk kishin miratimin e myftiut përkatës. Në mbledhjet konstitutive të këshillave nuk ka pasur vëzhgues, gjë e cila e ka dëmtuar procesin e zgjedhjeve për legjitimimin e tyre më pas. Kaosi dhe çrregulli i kanë mbizotëruar në shumë raste këto zgjedhje, duke hedhur dyshime mbi të gjithë procesin nga fillimi e deri në fund. Në mbledhjet për zgjedhjen e Këshillave të Myftinive nuk ka ndonjë kuorum të caktuar, megjithëse drejtuesit e Myftinive me siguri kanë evidenca të sakta mbi numrin e xhamive ekzistuese.
Një gjë që nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e myftinive dhe të KMSH-së janë rrethanat e reja shoqërore dhe historike të krijuara së fundmi, ku Tirana, Durrësi e Elbasani janë qytete me zhvillime jashtëzakonisht të shpejta dhe vija e jurisdiksionit të tyre nga pikëpamja administrative ka lëvizur. Numri i qytetarëve është rritur dhe kjo nuk gjen reflektimin e duhur në pjesëmarrje dhe në përfaqësim.
Stafi drejtues gylenist është përgjegjësi kryesor ndaj të gjitha parregullsive të konstatuara dhe duhet që të largohen nga strukturat drejtuese të KMSH-së. Ata kanë manipuluar të gjithë sistemin e zgjedhjeve, duke shkaktuar kaos në xhemat dhe duke përfituar nga paqartësitë e xhematit mbi sistemin dhe rregulloren e statutin.
Në mbyllje mund të themi se komunikimi me publikun ka qenë zero dhe i gjithë procesi ka pasur mangësi të thella transparence një fenomen ky dominues në mbi 10 vjet vitet e fundit, duke shkaktuar pakënaqësi të vazhdueshme në të gjithë xhematin shqiptar. Informacionet e mbledhura nga aktivistët tonë në shumë qytete na e konfirmojnë këtë. Mungesa e transparencës është një fenomen i vazhdueshëm nga ky staf drejtues i KMSH-së, si dhe i Myftinisë së Tiranës. Të gjitha këto shqetësime na detyruan t’i adresojmë publikisht në opinionin tonë me dëshirën dhe vullnetin e mirë për të përmirësuar punët tona. Ka vend dhe kohë për të reflektuar nga të gjithë strukturat dhe stafet përkatëse dhe kjo tollovi që u shkaktua në të gjithë këtë proces të mos përsëritet më në të ardhmen. Bashkësia muslimane shqiptare ka brenda vetes burime të mëdha njerëzore, të cilat mund ta përfaqësojnë denjësisht Komunitetin e besimtarëve. Ka plot qytetarë të ndershëm me formim dhe me identitet të theksuar musliman, që mund të garantojnë proceset e duhura dhe transparente në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Forumi Musliman i Shqipërisë, Tiranë 07/08/2023
Fisnik Kruja kryetar
Roald Hysa sekretar
Kontakt:
0672072291/ [email protected]
0672532783/ [email protected]
www.fmsh-al.org [email protected]