Toleranca ndërfetare mes shqiptarëve nuk do të zbehet fare edhe nëse s’bëhet Shteti Bektashi, ndërsa funksionalizimi i këtij “shteti” e rrezikon pikërisht dëmtimin e kësaj harmonie, për shkak të mundësisë së shfaqjes së xhelozive dhe apetiteve të reja të komuniteteve të tjera fetare, si oponencë e nismës në fjalë. Fundja, edhe sikur ky lloj mini-shteti të bëhet për qëllime turistike, ai rrezikon të zhytet nën ombrellën e parodisë politike të Edi Ramës, nga e cila zor se mund të dalë faqebardhë!
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Profili artistik me përvijime komike i kryeministrit shqiptar Edi Rama është i pranishëm edhe në veprimtarinë e tij ditore politike. Madje, përtej kësaj, ai është në gjendje të shfaqë një anë të pazakontë të një personi me përgjegjësi të lartë shtetërore, duke bërë kapërcime të hatashme nga një skaj në tjetrin, nga një ekstrem në tjetrin, vetëm e vetëm të jetë në qendër të vëmendjes publike. Meqë këtë vëmendje ka kohë që e ka siguruar brenda Shqipërisë, duke e bërë opozitën copa-copa dhe duke hyrë si çaush në dekadën e dytë të qeverisjes, viteve të fundit është duke u imponuar fuqishëm edhe në skenën e politikës ndërkombëtare.
Stili i tij i veshjes jashtë çdo kodi diplomatik nëpër takime të rëndësisë së veçantë, fjalori i (pa)zgjedhur me fraza të çoroditura e plot batuta, grimasat dhe prekjet e panatyrshme fizike me kolegë/e, rregullisht tërheqin vëmendjen e opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar, duke e kthyer imazhin e figurës së tij politike më tepër në nivelin e një aktori të teatrit, por e vërteta mund të jetë shumë më ndryshe sesa mund të paramendohet! Me një profil të ngjashëm të paraliderit komik, bota e pati rastin të ndeshet me Volodimir Zelenskin, i cili duke aktruar nëpër filma me rolin e presidentit ukrainas, vërtet u ngjit në fronin e lartë presidencial, por thuajse dy vjet shteti i tij është zhytur në një luftë të llahtarshme!
Përtej analogjive dhe tendencave për t’u thelluar në alternativat e teorive konspiracioniste, për rrezikun real që mund të ketë për edhe Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi një lider si Edi Rama, ajo që shihet në sytë e opinionit publik nuk është e vështirë të zbërthehet.
Për Edi Ramën është shumë me rëndësi që edhe për gjëra të parëndësishme të bëhet bujë në opinion, është me rëndësi të flitet për të dhe për idetë e tij. Për Ramën është me rëndësi që të diskutohet e të komentohet nga të gjitha aspektet dhe nga të gjitha shtresat e popullsisë, edhe për çështje banale, madje shpeshherë me përmasa groteske, në mënyrë që të mbulohen problemet reale të qytetarit shqiptar të mbetur ende brenda Shqipërisë, meqë pjesa më e madhe e tyre tashmë kanë ikur jashtë. Për Edi Ramën është me rëndësi që popullsia shumicë të ketë me se të argëtohet natë e ditë para radio-televizioneve dhe rrjeteve sociale, meqë populli punues opozitar moti kohë i ka marrë valixhet në dorë.
Në këtë kontekst duhet parë edhe idenë e tij të fundit “gjeniale” me përmasa groteske, për krijimin e një shteti të ri fetar brenda shtetit shqiptar…
Kontroverset e një nisme
Idenë e krijimit të një Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi brenda kryeqytetit shqiptar, Tiranë, kryeministri Rama e shpalosi prej jashtë shtetit që e drejton – Shqipërisë. Përzgjedhja e Nju-Jorkut, si qendër botërore e OKB-së, kryeqendër e vendosjes, por edhe e diversitetit kulturor, sigurisht që nuk ka qenë e rastësishme. Ky moment, në radhë të parë, është përdorur për promovim ndërkombëtar të idesë, por pa kaluar nëpër “filtrat” vendorë, ku patjetër duhet të ketë një miratim ose mosmiratim institucional dhe popullor.
Deri më tani ka pasur një varg komentesh publike për këtë ide, me të cilën u tha se “u shokua” mbarë opinioni, madje edhe vetë komuniteti bektashian dhe kreu i saj, të cilët brenda një dite i ndërruan tri herë deklaratat e tyre! Ata ishin të papërgatitur të shikonin parodinë e kryeministrit të tyre në mediat ndërkombëtare.
E vërteta është se që në vitin 2017 drejtuesi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Edmon Brahimaj, përmes një letre kishte kërkuar nga institucionet kryesore të shtetit shqiptar, përfshirë edhe kryeministrin Rama, mbështetje për ngritjen e këtij komuniteti në një stad të veçantë dhe më të privilegjuar karshi komuniteteve të tjera fetare, por nuk kishte kërkuar shtet sovran, siç është shprehur i gatshëm Rama t’ua jep. “Mbrojtja konsiston në akordimin e statusit të Selisë së Shenjtë të Bektashianëve në një status të barasvlefshëm së paku me Nunciaturën Apostolike në Tiranë, e cila është përfaqësuese e Vatikanit në Republikën e Shqipërisë.”, thuhej në letrën e Baba Mondit. Pra, ai kërkonte njohjen e statusit të barasvlefshëm me atë të një misioni diplomatik për Selinë e Shenjtë të kësaj kryegjyshate dhe jo krijimin e një shteti sovran bektashi. Realisht, me veprimin e fundit, kryeministri Rama shkoi përtej kërkesave dhe pritjeve të vetë komunitetit bektashian. Ata i kërkuan statusin e një lloj misioni diplomatik religjioz, ndërsa ai u ofroi shtet sovran! Çfarë zemërgjerësie e madhe, e paparë dhe e paimagjinuar deri më tani?!
Çështja tjetër e diskutueshme është pretendimi i kreut të bektashinjve se “Ne jemi pranuar dhe njohur si sekt fetar në shumë vende te botës përfshi edhe SHBA-në”. Por, e vërteta duket të jetë pak më ndryshe. Të parët që e kundërshtuan krijimin e shtetin sovran bektashian në Shqipëri ishin pikërisht bektashinjtë e Turqisë, prej të cilëve rrjedh edhe vetë origjina e këtij sekti fetar.
Dhe, e vërteta tjetër është se Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, me seli në Tiranë, nuk ka ndonjë shtrirje ose njohje të madhe nëpër botë, siç pretendon ajo vetë. Sa për saktësim, në ueb-faqen zyrtare të këtij komuniteti shihet qartë se Kryegjyshata Bektashiane ka nën vartësinë e saj nëntë gjyshata, të cilat ndodhen kryesisht në viset shqiptare (Gjyshata e Krujës, e Vlorës, e Elbasanit, e Skraparit, e Korçës, e Gjirokastrës, e Tetovës, e Gjakovës) dhe një gjyshatë shqiptare në Detroid të SHBA-së, e cila njihet si “Teqeja e parë bektashiane shqiptare në Amerikë”. Pra, nëse Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë do të ishte vërtetë e pranuar dhe e njohur si sekt fetar “në shumë vende te botës”, ajo do të duhej të kishte nën varësinë e saj edhe gjyshata që aterojnë nga vende të tjera të botës, dhe çka është më e rëndësishme, ajo do të duhej të kishte brenda vetes gjyshata që u përkasin gjuhëve, kulturave e racave të ndryshme botërore. Atributi Kryegjyshatë “Botërore” nënkupton edhe këtë element të rëndësishëm të përfshirjes së besimtarëve bektashinj në rang botëror, e jo vetëm se shqiptarë. Nëse këtë Kryegjyshatë e njohin vetëm bektashinjtë shqiptarë, atëherë ajo nuk ka kurrfarë të drejte juridike e as morale të thirret në emër të një sekti fetar me përmasa botërore. Ajo, thjesht, mbetet një sekt i vogël fetar me të cilin identifikohen një numër simbolik shqiptarësh, në nivel sasior prej diku 5 për qind.
Një hendek i panevojshëm
Shikuar nga aspekti i zhvillimeve të sotme në skenën vendore dhe ndërkombëtare, kur dallimet me baza fetare janë acaruar aq shumë, saqë për çdo ditë po marrin në qafë me mijëra viktima të pafajshme, një lojë e tillë për një minishtet me bazë fetare në Shqipëri nuk mund të jetë një ogur i mirë! Sado që bektashinjtë janë të njohur pozitivisht gjatë historisë për traditën e kultivimit të tolerancës ndërfetare, madje edhe kanë dhënë kontribut të madh në të gjitha proceset kombëtare, privilegjimi i tyre sistemor karshi komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, që janë dukshëm më të shumtë në numër, krijon një hendek të panevojshëm mes vetë shqiptarëve.
Toleranca ndërfetare mes shqiptarëve nuk do të zbehet fare edhe nëse s’bëhet Shteti Bektashi, ndërsa funksionalizimi i këtij “shteti” e rrezikon pikërisht dëmtimin e kësaj harmonie, për shkak të mundësisë së shfaqjes së xhelozive dhe apetiteve të reja të komuniteteve të tjera fetare, si oponencë e nismës në fjalë. Fundja, edhe sikur ky lloj mini-shteti të bëhet për qëllime turistike, ai rrezikon të zhytet nën ombrellën e parodisë politike të Edi Ramës, nga e cila zor se mund të dalë faqebardhë! /revistashenja