Parlamenti libanez më 9 janar do të mbajë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri

Kryetari i parlamentit libanez, Nabih Berri, për më 9 janar ka caktuar mbajtjen e një seance parlamentare për zgjedhjen e presidentit, transmeton Anadolu.

Posti presidencial në Liban ka qenë i zbrazët për më shumë se dy vjet për shkak të krizës politike të vendit dhe sulmit njëvjeçar izraelit në Liban.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, Berri e bëri njoftimin gjatë një sesioni parlamentar sot, duke thënë se do të ketë “një periudhë njëmujore për të arritur konsensusin mes nesh”.

Kryetari i Parlamentit tha se do të ftojë ambasadorët e huaj të marrin pjesë në seancën për të zgjedhur presidentin.

Deputetët kishin mbajtur të paktën 12 seanca, por nuk arritën të zgjidhnin një president të ri për të pasuar Michel Aounin, i cili u largua nga detyra më 31 tetor 2022.

Një kandidati i duhen dy të tretat e votave, ose 86 deputetë, për t’u votuar që në fazën e parë. Në raundet pasuese nevojitet një shumicë absolute.

Njoftimi i Berrit erdhi një ditë pasi një marrëveshje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi të mërkurën, duke u dhënë fund luftimeve që zgjatën mbi 14 muaj midis ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah.

Më shumë se 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi një milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.