Parlamenti i Irakut nëpërmjet një votimi të realizuar ka hedhur poshtë “referendumin e pavarësisë” që Qeveria Rajonale Kurde e Irakut do ta zhvillonte më 25 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
Ali Safi, një nga deputetët e Koalicionit Kombëtar Shiit në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se “Parlamenti me shumicë votash ka hedhur poshtë referendumin e Kurdistanit të Irakut”.
Safi gjithashtu ka theksuar se deputetët kurdë të cilët kanë kundërshtuar vendimin kanë braktisur seancën.
Ndërsa bëhet e ditur se në seancën e mbajtur në parlamentin prej 328 vendesh kanë marrë pjesë 168 deputetë.
Kreu i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Mesut Barzani pas një takimi të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor deklaroi se më 25 shtator 2017 do të mbahej referendumi i shumë debatueshëm për pavarësinë.
Ndërsa kryeministri i Irakut, Hajdar el-Ibadi pas shpalljes së rerefendumit nga Barzani tha se “Kjo ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe se nuk do të njihnin rezultatin”.