Parlamenti i Libisë ka miratuar një ligj të pajtimit kombëtar me shumicë votash, në përpjekjen e fundit për të mbyllur përçarjet në vendin e Afrikës Veriore, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Parlamentit, Abdullah Blehig tha se shumica miratoi ligjin gjatë një seance të mbajtur në qytetin lindor Benghazi.
“Pas përfundimit të diskutimit dhe shqyrtimit të neneve të projektligjit, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin e pajtimit kombëtar”, tha Blehig.
Këshilli i Presidencës së Libisë në shtator të vitit 2021 nisi një iniciativë për të arritur pajtimin kombëtar në Libi pas vitesh konflikti që nga rënia e regjimit të Muammar Gaddafit në vitin 2011.
Në gusht të vitit 2024, kryetari i Parlamentit libian, Aguila Saleh u ngarkua nga asambleja për të hartuar një ligj për pajtimin kombëtar në Libi.
Në muajin nëntor, Saleh dhe Mohamed Menfi, i cili kryeson Këshillin e Presidencës së Libisë, kërkuan që asambleja të miratojë projektligjin e pajtimit kombëtar “pa asnjë ndryshim”.
Që nga rënia e Gaddafit, Libia e pasur me naftë ka mbetur e ndarë në dy pjesë. Njëra qeveriset nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar me bazë në Tripoli e cila gëzon njohje ndërkombëtare dhe tjetra nga komandanti ushtarak me bazë në Benghaz, Khalifa Haftar.