Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Parlamenti Evropian diskutoi mbi praktikat e Kinës ndaj ujgurëve

Parlamenti Evropian diskutoi mbi praktikat e Kinës ndaj ujgurëve

Në Parlamentin Evropian (PE) u mbrojt ideja se veprimet e Kinës në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang përbëjnë krim kundër njerëzimit dhe mbartin rrezikun e gjenocidit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të PE-së që u mblodh në Strasburg, u diskutua projektligji i përgatitur me dosjet dhe fotografitë që janë publikuar në fund të muajit të kaluar në shtyp nga raportet e policisë në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang të Kinës.

Deputetët në fjalimin e tyre në seancë theksuan se me projektligjin do të mbrohet ideja se veprimet e Kinës përbëjnë krim kundër njerëzimit dhe mbartin rrezikun e gjenocidit ndaj ujgurëve.

Ndër të tjera deputetët i bënë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare që në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund mizorive dhe për të siguruar përgjegjësinë për krimet e kryera.

Regjistrimet e policisë vërtetojnë më shumë se çdo herë viktimizimin e ujgurëve, deklaruan deputetët duke bërë të ditur se “në të ashtuquajturat qendra arsimi po paraqiten para syve presionet si arrestime arbitrare, tortura, ndarje me forcë e fëmijëve nga prindërit, punësimi si skllevër dhe sistemi i monitorimit digjital për të çrrënjosur identitetet etnike, kulturore dhe fetare”.

Projektligji do të votohet më 9 qershor në Asamblenë e Përgjithshme. Vendimet e PE-së janë në cilësinë e rekomandimit ose thirrjes për vendet anëtare dhe nuk kanë detyrim ligjor për vendet anëtare.

Kina në vitet e fundit ka qenë objektiv i kritikave në opinionin publik ndërkombëtar për shkak të pretendimeve lidhur me shkeljet sistematike të të drejtave që kanë në objektiv turqit ujgurë dhe pakicat e tjera në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang.

Reagimi i Kinës

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, më 24 maj në përgjigje të një pyetjeje lidhur me pretendimet në shtyp për regjistrimet e policisë, deklaroi se “Ato që po thoni, janë shembulli i fundit i përpjekjeve të forcave anti-Kinë për njollosje kundër Kinës. Këto janë vetëm përsëritje e mashtrimeve të mëparshme. Nuk mund të hedhin hije mbi gjykimin e botës duke përhapur thashetheme dhe gënjeshtra. Nuk mund ta mbulojnë të vërtetën se në Xinjiang ka stabilitet dhe mirëqenie dhe se ata që jetojnë atje janë të kënaqur dhe të lumtur nga jeta e tyre”. /aa

Exit mobile version