Progresi që kemi shënuar kontribuoi në marrjen e dritës së gjelbër nga Këshilli i BE-së për fillimin e negociatave, por për fat të keq në vend të negociatave tani po përballemi me ngecje për shkak të disa kërkesave bilaterale, tha midis tjerash kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë Samitit “Parlamenti Evropian – Ballkani Perëndimor”, që po zhvillohet në Bruksel. Çdo anulim tjetër do të ketë ndikim serioz në situatën politike dhe ekonomike të vendit, ka theksuar Xhaferi.
“Kemi investuar shumë sakrifice kohë dhe energji dhe pike politike që ta përmbushim atë që kemi premtuar jo vetëm për shkak kërkesave të institucioneve evropiane, por për faktin se procesi i zgjerimit u dëshmua se është nxitës i reformave në të gjitha poret e shoqërisë sonë. Çdo anulim i ardhshëm do të ndikojë seriozisht në situatën politike dhe ekonomike në vendin tonë por edhe do të ketë ndikimin të vet edhe në vendet e tjera të rajonit që ndajnë çështje të hapura të njëjta ose të ngjashme me fqinjët e tyre andaj konsideroj se sa më shpejt duhet të caktohet datë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me të cilën do të shënojmë startin formal të negociatave për RMV-në.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
Nëse jemi të perceptuar si rajon që të prodhojmë më shumë histori se sa mund të konsumojë siç theksoi Xhaferi nuk guxojmë të lejojmë që ajo histori ta gëlltisë të ardhmen e gjeneratave të reja. Ndryshe, në samit me ftesë të Kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sasoli, morën pjesë kryetarët e kuvendeve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe BeH. /tetovasot