Parlamenti Europian vendosë nëse do ta ndalojë dynerin apo jo

Parlamenti Evropian (PE) do të votojë të mërkurën nëse do të lejojë ose jo, aditivet fosfatike në prodhimin e mishit të dynerit, një çështje që brengosë mijëra prodhues anembanë Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Rregullativa ligjore e Bashkimit Evropian ndalon përdorimin e fosfateve në prodhimet e mishit.

Megjithatë, dyneri të cilin BE-ja e ka definuar si mish i ngrirë i vendosur vertikalisht në hell, nuk është i përfshirë në këtë rregullativë ligjore, për çka Komisioni Evropian (KE) ka përgatitur një propozim për të legalizuar këtë specialitet të gastronomisë turke.

Në propozimin e KE-së qëndron se përdorimi i fosfateve ‘është një nevojë teknologjike që lidhë mes vete copëzat e mishit, si dhe mundëson pjekjen homogjene të tyre në hell”.

Ky propozim i KE-së ka shkaktuar polemika të shumta në PE, Komisioni për Shëndetësi i të cilit, me 32 vota për dhe 22 kundër, refuzoi propozimin në fjalë.

Komisioni për Shëndetësi pretendon se përdorimi i fosfateve në mishin e dynerit mund të çojë në sëmundje të zemrës, ndryshe nga KE e cila mendon se fosfatet nuk kanë një ndikim negativ mbi shëndetin e konsumatorëve.

Kenan Koyuncu nga asociacioni gjerman i prodhuesve të dynerit, në një prononcim për AA tha se dhjetra mijëra njerëz janë të punësuar në këtë industri, e cila në tërë Evropën bën një qarkullim multi miliardësh në euro.

Nëse shumica në PE voton për propozimin, atëherë shitoret e dynerit do të mund të përdorin këtë aditiv.

Nëse eurodeputetët votojnë kundër, atëherë KE-ja do të duhet të përgatisë një propozim të ri, të cilin Autoriteti Evropian për Sigurinë e Ushqimit do ta shqyrtojë më 31 dhjetor.