Mediet në Shkup kanë publikuar propozimin për negociatat të Presidencës franceze të Bashkimit Evropian lidhur me integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe veton bullgare.
Propozimet e Parisit do të përpiqen të balancojnë vijat e kuqe mes Sofjes dhe Shkupit.
Sipas propozimit francez, Këshilli për Çështje të Përgjithshme të BE-së të miratojë Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut më 23 qershor të këtij viti dhe të caktojë një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Këshilli në të njëjtën mbledhje do të vendosë që konferenca e ardhshme ndërqeveritare për hapjen e negociatave për anëtarësim të mbahet sapo Maqedonia e Veriut të përfundojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e saj.
Pakoja e dokumenteve parasheh që në konkluzionet e konferencës së parë ndërqeveritare, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të paraqesin opinione të njëanshme për gjuhën maqedonase, të cilat do të jenë vetëm pjesë e procesverbalit të takimit dhe nuk do të cenojnë kornizën negociuese.
Të premten, mediet bullgare raportuan se presidenca franceze e BE-së u ka ofruar vendeve anëtare një formulë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shkupit, e cila plotëson kushtet e Bullgarisë për të hequr veton.
Formula franceze parashikon që procesi i negociatave me vendin të fillojë vetëm pasi të bëhen ndryshime në Preambulën e Kushtetutës, lidhur me qytetarët që jetojnë në vend që janë pjesë e kombeve të tjera, përfshirë edhe bullgarët.
Por në propozim, rekomandohet që maqedonishtja të jetë pjesë e kuadrit negociues pa shtesa siç pretendon Bullgaria. /oranews