Parandalohet sulmi me raketa në drejtim të Mekës

Forcat e koalicionit të kryesuara nga Arabia Saudite kanë interceptuar dhe shkatërruar një raketë balistike të lançuar nga Jemeni drejt Mekës në Arabinë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e forcave të koalicionit thuhet se Husitë jemenas dëshpërimisht u përpoqën të kryejnë një sulm me raketë në qytetin e shenjtë të Mekës, me qëllim që negativisht të ndikojë në përgatitjet për haxh.

Theksohet se raketa balistike është shkatërruar me sistem antiraketor në rajonin Al-Vesile, afër qytetit Taif, saktë 69 kilometra nga Meka.

Nga fundi i muajit tetor të vitit 2016 sistemi për mbrojtje antiraketore i instaluar në Arabinë Saudite detektoi raketë të lançuar nga Jemeni dhe shkatërroi në distancë prej 65 kilometrave deri në Mekë.

Husitë kontrollojnë një pjesë të madhe të Jemenit, përfshirë edhe kryeqytetin Sana, që nga shtatori i vitit 2014 kur me grusht shtet u përmbys qeveria e atëhershme.

Koalicioni i kryesuar nga Arabia Saudite nga marsi i vitit 2015 i ofron mbështetje ushtarake autoriteteve jemenase kundër Husive, të cilët kohë pas kohe kryejnë sulme raketore edhe në Arabinë Saudite.