Parandalimi i diabetit/ Si ndikon ngrënia e mëngjesit çdo ditë

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Të mirat e ushqyerjes së shëndetshme që në orët e para të ditës janë të larmishme.

Një prej tyre konfirmohet nga ekspertët gjermanë sipas të cilëve, heqja dorë nga mëngjesi edhe në raste të rralla, rrit rrezikun e diabetit të tipit 2.

Për arritjen e këtij konkluzioni, ekspertët analizuan të dhënat e mbi 96,000 personave. Këto të dhëna treguan se heqja dorë nga mëngjesi një herë në javë rrit rrezikun e diabetit të tipit 2 me 6 përqind. Kjo shifër rritet deri në 55 përqind nëse njeriu heq dorë nga mëngjesi 4-5 herë në javë.

Diabeti, një sëmundje që rrezikon edhe fëmijët
Mjekët në vendin tonë kanë vënë re një numër në rritje të rasteve të diabetit. Vetëm në mesin e fëmijëve vërehen 25-30 raste të reja të diabetit të tipit 1 në vit. Ndonëse statistikat nuk janë të plota, specialistët thonë se shkaku kryesor në shtimin e rasteve të diabetit është ushqyerja e keqe. Sipas shoqatës Fëmijët dhe të Rinjtë me Diabet, të cilës i referohet AgroWeb.org, në vendin tonë është alarmant fakti se diabeti po prek edhe fëmijët e vegjël nën 7 vjeç.

Roli i mëngjesit në parandalimin e diabetit
Po të marrësh në konsideratë lidhjen mes diabetit të tipit 2, sheqernave në gjak dhe insulinës, nuk është habi që ekspertët thonë se heqja dorë nga mëngjesi rrit rrezikun e sëmundjes. Në fakt, besohet se heqja dorë nga mëngjesi nxit rezistencën ndaj insulinës. Kur rezistenca ndaj insulinës bëhet kronike, kthehet në fakt rreziku për diabetin e tipit 2. Nga ana tjetër heqja dorë nga mëngjesi rrit nivelin e sheqerit në gjak që vazhdon edhe në vaktet e mëtejshme.

Kësisoj, trupi është në kthetrat e stresit të vazhdueshëm që bëhet faktor në përzgjedhjen e ushqimeve të pashëndetshme. Dy justifikimet më të përsëritura nga njerëzit që nuk hanë mëngjes janë: mungesa e urisë dhe e kohës. Por pavarësisht tyre, askush nuk duhet t’i thojë ‘jo’ një mëngjesi që përmban vezë, kos dhe fruta. Një mëngjes i tillë ofron proteinë, fibër e karbohidrate, të mjaftueshme për një ditë plot me energji./AgroWeb