Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë dhe të ndalohet shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Shoqata ka thënë se shtrenjtimi do ta dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit.
Përfaqësuesit e shoqatës kanë thënë se po përballen me kosto të larta për ambalazh, pagat e punëtorëve dhe shpenzime tjera operative.
Nga prilli pritet të ketë shtrenjtim të rrymës për 15 për qind.
Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, ka ngjallur reagime të shumta.
““Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë,” thuhet në reagimin e Shoqatës. ” thuhet në reagimin e Shoqatës. “Industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit dhe kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore”.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së tha se ndër shkaktarët kryesorë për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind është importi i energjisë elektrike.
Fejzullahu tha se sasia e madhe e importimit ka bërë që të lindë nevoja për rritje të çmimit.
“Krahasuar me vitin e kaluar nevoja për rritje të të hyrave të lejuara është për 15 për qind. Ka faktorë që kanë ndikuar për nevojën e rritjes së energjisë elektrike, janë çmimet e importit. Në sasi ka rekord të energjisë që kemi importuar që nga paslufta, edhe pse çmimi është më i ulët për afërsisht 10 euro krahasuar me vitin e kaluar, sasia shumë e madhe ka bërë që të jetë e nevojshme kjo rritje. Shtytësi kryesor është importi, ne kemi pasur vitin e kaluar prodhim shumë më të vogël të burimeve të ripërtërishme, për këtë arsye ka lindur nevoja për import më të madh”, ka thënë ai.