Kriza e krijuar nga përhapja e pandemisë së koronavirusit në ekonominë e Kosovës gjatë ditëve në vijim do të rezultojë me mbylljen e bizneseve dhe në rritjen e numrit të të papunëve në vend.
Kështu kanë vlerësuar Odat Ekonomike në vend, të cilët thonë se përveç mbylljes së ndërmarrjeve do të rrezikohet edhe burimi i të hyrave të shtetit.
Kryetari i Odës Ekonomikë Amerikanë në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, tha për Ekonomia Online se pas dëmeve të krijuara nga Coronavirus do të fillojë mbyllja e bizneseve.
Zeka kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë hapa të shpejtë në përkrahje të bizneseve dhe në zvogëlimin e numrit të të papunëve.
“Pashmangshëm mbylljen e bizneseve do të shohim në ditët në vijim. Ky ka qenë edhe thelbi për të gjitha përpjekjet e Odës Ekonomike Amerikane dhe të asociacioneve tjera të biznesit që të gjejmë një modalitet të përkrahjes për ndërmarrje private të goditura në mënyrë direket ose indirekte që dëmi të jetë sa më i vogël dhe numri i punonjësve që do të mbeten pa punë të jetë sa më i vogël”.
Pasi që ende nuk dihet se sa do të zgjasë pandemia, Zeka thotë se dëmet duhet të rikuperohen për ta rikthyer ekonominë në binar.
“Ende është herët për të vlerësuar pasi që nuk e dimë sa do të zgjasë pandemia dhe dëmet reale, e cili do të jetë impakti real i tërë pandemisë në ndërmarrjet private dhe në ekonominë në përgjithësi. Këtu kërkohet veprim i shpejt i Qeverisë në vlerësimin e dëmeve kurdo që pandemia të përfundojë dhe ndërmarrja e masave përkatëse për rikuperimin e këtyre dëmeve dhe kthimin e ekonomisë në binarët e duhur”.
“Tashmë kemi hyrë në krizë. Jo vetëm ndërmarrjet rrezikohet edhe burimi i të hyrave të shtetit sepse shteti do të ketë më pak të hyra për shkak të aktivitetit ekonomik të reduktuar gjatë muajve të pandemisë por edhe më vonë nëse rrezikohet ekzistenca e shumë ndërmarrjeve”, u shpreh Zeka.Për këtë edhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga Qeveria që ta filloj zbatimin e pakos, dhe pas kësaj të ketë edhe një pako tjetër që e mundëson rimëkëmbjen e ekonomisë se vendit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha për Ekonomia Online se Kosova çdo ditë po humb nga 10 milionë euro.Rukiqi kërkon edhe një pako tjetër që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Ne e shohim se kemi një humbje ditore rreth 10 milionë euro dhe kjo është një rëndesë e madhe për ekonominë e vendit, duhet të kemi një plan se çka pas coronavirusit që t’i ruajmë vendet e punës, ndërmarrje dhe likuiditetin”.
“Për këtë duhet veprime të shpejta emergjente. Pako të zbatohet dhe ta kemi një pako tjetër që e mundëson rimëkëmbjen e ekonomisë se vendit. Kemi një risk të madh që të kemi humbje të vendeve të punës”, ka thënë Rukiqi.