Paralajmërimet për mbyllje totale përcillen me pakënaqësi, thirrje kundër dhe kërcënime me protesta

Sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë ka paralajmëruar se Kosova po shkon drejt mbylljes totale, derisa të njëjtën e ka përmendur edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj duke treguar se Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë do të mblidhet nesër.

 

Sipas raportimeve në media, nesër Hoti dhe Zemaj do të mbajnë konferencë të jashtëzakonshme për media ku do t’i prezantojnë masat e reja anti-Covid, shkruan lajmi.net.

 

Është raportuar gjithashtu se qytetet e Kosovës do të ndahen në “zona të kuqe, verdha dhe gjelbra” për të cilat do të ketë masa të ndryshme, derisa zonat e kuqe parashihen të futen në karantinë totale.

 

E lidhur me këtë, është mësuar sot gjatë ditës se ka mospajtime edhe në qeveri, ku është thënë se mund të mos aprovohen dhe votohen masa të tilla ekstreme.

 

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmeve rreth paralajmërimit që bëri sonte kryeministri Hoti për mbylljen totale të Kosovës.

 

“Prej ekstremit në ekstrem”, ka shkruar Ahmeti në një postim të tijin në Twitter.

 

Situata me ekonominë në Kosovë është shqetësuese dhe sot ka reaguar gjithashtu edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në Facebook’un e tij duke kërkuar që të mos ketë karantinë totale.

 

Ndër paralajmërimet e mëhershme që Rukiqi i ka bërë për krizë ekonomike dhe rrezik të falimentimit të bizneseve në rast të një mbyllje tjetër, sot ai shkurt ka shkruar “Jombyllje” në Facebook.

 

“Jombyllje” ka filluar të shndërrohet në fushatë në rrjetet sociale, pasi edhe Shoqata e Gastronomëve e Kosovës ka bërë të njëjtin reagim në profilin e tyre në Facebook.

Për këtë çështje, gastronomët dhe sektori privat në Kosovë kanë paralajmëruar edhe protesta.

Shumica e vendeve të botës të cilat kanë rikthyer masat shtrënguese ekstreme anti-Covid pas valës së dytë të pandemisë janë përballur me protesta të ashpra.

Pamje të protestave masive kanë ardhur edhe nga Franca, Gjermania, Italia dhe vende të tjera evropiane.

Në anën tjetër, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 596 raste të reja me koronavirus nga 1559 testime sa janë bërë gjithsej.

Brenda kësaj periudhe janë shënuar edhe 5 raste të vdekjeve me koronavirus. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 2 raste (72 dhe 50 vjeç), Prizren 2 raste (70 dhe 67 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (58 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste nga 110.041 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 773 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 136 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.362 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.253.