Ballina Artikuj Paraja e bereqetshme

Paraja e bereqetshme

I Dërguari i Allahut a.s., një ditë e dërgoi Hazreti Aliun r.a. në pazar për t’i blerë një këmishë. Aliu r.a. u kthye dhe ia solli këmishën.
“Sa pagove për të? E pyeti Pejgamberi, a.s.
“Dymbëdhjetë dërhemë. Iu përgjigj Aliu r.a.
“Unë nuk do të vishja një këmishë aq të shtrenjtë”, tha Pejgamberi, a.s. “A mendon se tregtari do ta ndërrojë atë me një më të lirë dhe të kthej pjesën tjetër të parave?”
Aliu r.a. u kthye në pazar, kërkoi nga tregtari që t’ia japë një këmishë më të lirë dhe t’ia kthej katër dërhemë, gjë që tregtari pranoi.
Pas pak, Pejgamberi a.s., dhe Aliu r.a. dolën nga shtëpia, rrugës takuan një robëreshë duke qarë. E pyetën se çfarë i kishte ndodhur, ndërsa ajo u përgjigj: “Pronari im më dërgoi në qytet për të blerë diçka, por unë i humba katër dirhemët që m’i dha.”
Pejgamberi, a.s., i tha të mos qajë dhe ia dha katër dirhemët që i mbetën nga këmisha.
Më vonë, duke u kthyer, takuan sërish atë vajzë duke qarë. E pyetën se çfarë i kishte ndodhur kësaj radhe. Ajo tha: “Kam humbur shumë kohë duke blerë të gjitha gjërat për të cilat më dërguan, dhe tani kam frikë të kthehem në shtëpi, kam frikë se pronari është i zemëruar me mua dhe do të më qortojë.”
Pejgamberi a.s., i tha se do ta shoqëronte për në shtëpi.
Kur arritën te shtëpia, Pejgamberi a.s., u ndal para derës dhe thirri me zë të lartë:
“Paqja qoftë mbi ju, o banorë të kësaj shtëpie!”.
Por, askush nuk u shfaq. Pejgamberi a.s., thirri edhe një herë, e pastaj edhe për të tretën herë. Më pas doli një njeri dhe tha:
“Ve alejkum selam, i Dërguari i Zotit. Mirë se erdhe në shtëpinë time.
Pejgamberi, a.s., tha: “Robëresha juaj është vonuar duke bërë pazar! Prandaj unë erdha me të sepse dua të ndërmjetësoj për të.
Njeriu tha: “O i Dërguari i Zotit, nëse ajo është arsyeja që ju ta zbukuroni shtëpinë time me ardhjen tuaj, në shenjë mirënjohjeje ua jap lirinë e saj në këtë moment!” Dhe me të vërtetë, ai e liroi robëreshën.”
Rrugës për në shtëpi, Pejgamberi a.s., i tha Aliut r.a.: “O Ali, a e sheh se si u shpërblye modestia dhe sa të bereqetshme ishin ato para të kursyera”.

Exit mobile version