Ballina Autorë Opinione Parada e krenarisë dhe heshtja e poshtërsisë!

Parada e krenarisë dhe heshtja e poshtërsisë!

Fahri Musliu

Për sot, 8.6.24, në Prishtinë është paralajmëruar “Parada e krenarisë” me moton “Kemi qenë dhe do t’jemi” që sipas disave nga Evropa na qenka barometër i “lirive të grupit të rrezikuar”. Formë e dëmshme e imponuar.
Nuk jam homofob në asnjë formë dhe jam angazhuar gjithë jetën për mbrojtjen e grupeve të ndryshme (etnike, racore, sociale, seksuale…) të rrezikuara nga shumica apo edhe shteti që ndodh më së shpeshti.
Mirëpo nuk e përkrahi manifestimin “Parada e krenarisë” të grupit LGBT në mesin e të cilëve kam miq shumë të mirë e të respektuar, por orientimi i tyre seksual është shumë privat si orientimet tjera, dhe pse duhet të manifestohet me “krenari” nëpër rrugë e sheshe. Sepse nëse ata si individ a komunitet janë të rrezikuar duhet ti mbrojë ligji e jo manifestimi publik.
Por ne në Kosovë kemi edhe grupacione tjera të rrezikuara. Njëri nga ata dhe bukur i madh është grupi i pensionistëve kontributdhënës deri më 1990, dhe të dëbuar nga puna e të cilët marrin pension prej 100 eurosh si ata që nuk kanë punuar asnjë ditë. Kjo kategori, sakrifica dhe kontributi i të cilëve ka qenë i madh në ndërtimin e Kosovës, sot janë më të anashkaluar, diskriminuar e poshtëruar me “pensionin” që e marrin. A kanë të drejtë ky grup të organizojë “Paradën e poshtërsisë” sepse janë të rrezikuar nga shteti. Apo bie fjala edhe grupi i grave të papunësuara e që janë shtyllë e rritjes dhe edukimit të fëmijëve si dhe emancipimit të shoqërisë e zhvillimit të vendit…
Sipas kësaj edhe të “rrezikuarit” po ndahen në grupe – më shumë dhe fare të rrezikuar. E disa të tillë si grupin LGBT po e mbështet dhe afirmon demokracia perëndimore. Dhe fëmijët tanë duhet të edukohen me këtë formë të barazisë që po imponohet nga qarqe dhe për qëllime të caktuara. Por nuk po kuptohet se secili popull dhe mjedis e ka klimën e vet specifike ku nuk mund të kultivohet çdo lloji peme apo druri. Për çfarë barazie atëherë flasim në shtetin e Kosovës me “demokraci të lulëzuar dhe shembull për vendet e tjera” siç po na bindin pushtetarët. Apo edhe këtë vlen thënia e Orvellit “të gjithë janë të barabartë por dikush më i barabartë.
P. S. Ndalohet çdo koment fyes apo denigrues

Fahri Musliu

Exit mobile version