Njerëzimi dhe shoqëria mbarë deri më sot ka frymuar dhe ka mbartur detyra nga gjenerata në gjeneratë në saje të familjes dhe lindshmërisë dhe ky ka qenë parim universal në të drejtën e individit përjetë.
Ekstremizmi, përtej një fenomeni shoqëror, në planin individual është gjendje psikike që ndërlidhet me përkatësinë ndaj një grupi dhe identitetin qenësor në identitetet e shumëfishta që individi i përfiton në formësimin e tij ideor, estetik dhe politik gjatë rrugëtimit jetësor.
Më shumë se kaq, ekstremizmi është rezultat edhe i paranojës, frikës që manifestohet si tendencë pushtimi dhe eklipsimi ndaj çfarëdo gjeje që mund “ta rrezikojë” shkërmoqjen e identitetit të grupit, prej të cilit individi merr përkatësinë. Ngjashëm, siç janë fanatikët e rrymave religjioze, janë edhe fanatikët e rrymave ideologjike që vetëdijet e shformësuara përpiqen t’i universalizojnë prapa një pushteti virtual epistemologjik dhe një legjitimiteti të zbehur politik.
Ekstremistët liberalë, në frymën e promovimit të vlerave liberale, shpesh bien në grackën që çdo ideologji bie ose, thënë më mirë, çdo ideologji e ka përbrenda në formë latente – ajo është gracka e projeksionit të uniformitetit të liberalizimit utopik.
Të jesh liberal në bindje do të thotë të thotë “t’i pranosh” të tjerët me fondamentet e tyre, mu ashtu siç janë, duke respektuar identitetin qendror të identiteteve të shumëfishta që ata i posedojnë, ndërsa – në anën tjetër – ekstremisti liberal nuk mund ta pranojë asnjë njeri, pos si liberal, pavarësisht konceptimit unilateral që një “unë” e ka për liberalizmin.
“Tjetri”, i cili nuk pranon projeksionin e një “uni” liberal, vihet nën shënjestrën e etiketimit, për t’u avancuar në atë të linçimit, kjo nën pretekstin e vetëviktimizimit të “Unit” liberal, duke u cilësuar si “mendjembyllur”.
IMPULSET E “SULMEVE” TË JASHTME
Mendja, për individin, është foleja e akumulimit, analizës dhe sistematizimit të dijeve njerëzore mbi botën, rendin dhe ligjshmëritë e natyrës. Demarkacioni epistemologjik ose kufiri ndërmjet mbylljes dhe hapjes është spekulim i kulluar filozofik, ngaqë kufijtë, burimet dhe vëllimi i dijes janë gjëra që e mbizotërojnë debatin dymijë vjeçar të historisë së filozofisë dhe assesi t’i vihet pika e fundit kësaj çështjeje. Në anën tjetër, të imagjinuarit e mendjes në formën e një kështjelle, e fortifikuar me mure të larta dhe “të mbyllur” ndaj sulmeve të jashtme, i bie që impulset që na vijnë përmes botës perceptuese empirike të ofrohen deri te “kufiri” i mendjes dhe krejt pasi që ta kuptojnë se nuk mund të depërtohet brenda, “kthehen” dhe e vlerësojnë që mendja është e mbyllur.
Karikaturimi i mendjes përmes imazheve fizike të filmave vizatimorë në të vërtetë e kufizon dhe simplifikon qeniesinë dhe funksionin e mendjes. Në parim, çdo mendje është e hapur dhe me dashje ose pa të ajo u ekspozohet impulseve, “sulmeve” të jashtme dhe, në një shpjegim kantina, ajo përmes kategorive të saj apriorike dhe të kulluara e formëson lëndën nga empirikja dhe reflekton një interpretim të caktuar rreth impulsit në fjalë.
Trendet e një ekstremizmi liberal, përmes formulimeve të diskurseve epistemologjike për “mendjet e mbyllura”, u bënë edhe më agresive dhe histerike ndaj të gjithë atyre që reaguan ndaj një propozimi afektiv për të drejtën e martesave të gjinive të të njëjtit seks, të bërë nga deputeti i partisë shqiptare në pushtet (BDI), Branko Manajllovksi. Në rrugëtimin politik një parti si kjo, e cila e ka desubjektivizuar shqiptarin politik, e ka humbur betejën për drejtësi dhe së bashku me partnerin e koalicionit, LSDM-në, tashmë janë në zgrip të humbjes së betejës për drejtësi qytetare, në mënyrë krejt afektive dhe të paplanifikuar në kuadër të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve e politizon çështjen e legalizimit ose zyrtarizimit të martesave të të njëjtit seks.
Partia maqedonase në pushtet është shprehur në mbështetje të një propozimi të tillë dhe ka shtruar kërkesën për të hapur një debat në opinion dhe madje “ka ftuar ekspertët që t’i prezantojnë përvojat ndërkombëtare”, është shprehur lideri i kësaj partie. I vetmi deputet që e ka kundërshtuar propozimin e Manajllovksit ka qenë Afrim Gashi nga Lëvizja Besa, duke i referuar ligjit aktual për definimin e martesës dhe mbështetjes ndaj konceptit të familjes tradicionale.
Në një deklaratë ku janë nënshkruar “Qendra për Përkrahjen e LGBT-së” dhe “Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni” i kanë dënuar këto deklarata, pa iu referuar ndonjë personi me emër të përveçëm, duke i cilësuar ato si gjuhë të urrejtjes dhe deklarata homofobe, si dhe duke kërkuar edhe sanksionimin e tyre. Në kongruencë me deklaratën e liderit të LSDM, njëherazi kryeministër i shtetit, janë edhe deklaratat e zyrtarëve evropianë, të cilët pareshtur shfaqin qëndrimet e dërgimit të ekspertëve këshillues për avancimin e shtetit të së drejtës, e që padyshim në këtë paketë duhet të jetë i përfshirë edhe miratimi i ligjit për lejimin e martesave të të njëjtit seks.
“SHQIPTAR POLITIK” E JO SHQIPTAR KULTUROR
Paradoksi në këtë tregim është qasja selektive e ripërsëritur për të satën herë në çështjet e avancimit të të drejtave të komuniteteve dhe pakicave: në njërën anë ligji për gjuhën shqipe dërgohet në Komisionin e Venecias, ndërsa në anën tjetër ke një mobilizim total të faktorit vendor dhe ndërkombëtar për realizimin e martesave të së njëjtës gjini, si dhe avancimin e të drejtave të tyre në përgjithësi.
Edhe më intrigues është fenomeni i perceptimit të komunitetit LGBT si komunitet trans-etnik, ku përkatësia e grupit ndërtohet mbi “përpjekjen” për t’iu njohur, pranuar dhe legjitimuar ontologjikisht “bindja” se e drejta për “orientim seksual” është valide, logjike dhe etike. Në anën tjetër, përpjekja për të qenë “shqiptar politik” e jo shqiptar kulturor, është anakronike, e konsumuar dhe politikisht jovalide.
Normalisht, pasi që marrëveshja koalicionit nuk është transparente, propozimi i Manajllovksit mund të jetë edhe zhvendosje vëmendjes publike, por gjithashtu edhe tentim për t’i provokuar reagimet e opinionit publik. Edhe më brengosës është fakti nëse deputeti nga radhët e BDI-së. Branko Manajllovksi, të cilin partia e skematizoi brenda mozaikut të identitetit të shqiptar, pra shqiptarit ortodoks, me qëllim që ta vë atë në një shënjestër krejt joetike, për tradhti kombëtare dhe fetare, duke nxitur kështu edhe një front të ri të përçarjes nën flamurin e përpjekjes së legalizimit të të drejtave të homoseksualëve, pasi që i kishin bastarduar mirë e mirë të drejtat e shqiptarëve për të qenë qytetarë të barabartë me të tjerët.
Skepticizmin politik e shton edhe më tepër fakti i moskoordinimit të partnerëve të koalicionit për një çështje kaq të ndjeshme, pas deklaratave të Manajllovksit për iniciativë private, pas reagimeve të shfaqura nga qarqe dhe individë konservatorë. Por, duke e pasur parasysh faktin se në agjendën e LSDM-së është çështja e avancimit dhe legalizimit të martesave të individëve të të njëjtit seks, mbështetja që vetë lideri i LSDM-së ia dha deputetit Manajllovski me tërë shoqërinë civile, janë fakte që i mënjanojnë dyshimet për veprim kuturu dhe të pakoordinuara.
Rrjedhimisht, mund të konkludojmë se qeveria, për hesapet e veta politike, e politizon pandjeshëm një çështje kaq të ndjeshme, duke rrezikuar dhe degraduar edhe më poshtë perceptimin e opinionit publik për një komunitetin LGBT.
Ekstremizmi liberal, si shpërfaqje e nuancave më thelbësore dhe ekstreme të thelbit ideologjik të liberalizmit në përgjithësi, krijon një situatë të binarit dikotomik, me ç’rast gjykuesin e përgjithshëm ndaj komunitetit LGBT e ngujon para një aporie ose rruge pa shtegdalje, duke i ofruar, në njërën anë, të zezën, e në tjetrën të bardhën: mendjen e hapur dhe mendjen e mbyllur, homofilinë dhe homofobinë.
Normalisht, dikotomia gjithmonë nxit ankthin, kjo si manifestim psikologjik i analizës kognitive dhe përzgjedhja e njërës të shkakton kokëçarje dhe tension. Gjykimi i organizatave për të drejtat e LGBT-së dhe Komitetit të Helsinkit ndaj deklaratave “pro-familjes” si deklarata homofobe dhe urrejtëse, është argumenti më i mirë për të shfaqur qasjen unilaterale të liberalizmit ekstrem si formë stërkequr e modernitetit dhe demokracisë si qasje dhe agjendë autodisfatiste që e mohon të drejtën e shprehjes së lirë.
Është e mangët maksima se vullneti i lirë që ushtroj në sjelljet e mia është edhe përcaktuesi i gjinisë sime ndaj empirikes dhe biologjisë së trupit si realitet i pandashëm i qenies. Nëse e pranojmë se njeriu lind “tabula rasa”, atëherë interaksioni me biologjinë e trupit, përmes perceptimeve të para, është indikatori më i mirë për shpjegimin e formësimit seksual të njeriut. Perceptimi i penisit dhe prania e tij në trup është vendimtare për mendësinë, shpesh edhe epërsinë e mashkullit në formësimin e identitetit të tij gjinor, ngjashëm si te femra, ku të qenit nën ndikimin e perceptimit të vagjinës, që krijon ndjenjën e dobësisë dhe kompletimin e feminitetit të saj. Por, përtej çdo spekulimi frojdist, që shkencërisht është i diskutueshëm, madje i paargumentueshëm, kualifikimet e psikologëve që ia bëjnë homoseksualizmit si sëmundje, janë të paqëndrueshme, jo për shkak të fenomenit, por për shkak të metodave induktive të argumentimit, që ato i përdorin dhe, së fundi, nga një “çrregullim seksual psikik” ai u shndërrua në “orientim seksual”.
Si argument i vetëm për legjitimitetin e “orientimit seksual” përdoret ndërgjegjja e lirë e individit për të vendosur për veten e tij, gjegjësisht për trupin dhe ndjenjat e tij dhe një ndërgjegje e tillë kërkohet të adaptohet brenda legjislaturës juridike të shteteve si vullnet i pakontestueshëm dhe legal. Propaganda mediatike ka arritur që me sukses ta paraqesë heteroseksualizmin si “orientim seksual”, që në vetvete është “diskriminues”, madje duke e zhvendosur atë nga normaliteti drejt në antipodi të homoseksualizmit.
Filozofi anglez Roger Scruton shprehet se martesat e çifteve të të njëjtit seks janë homofobike. Përkundër faktit që pranimi i “martesës” së tyre e dhunon konceptin e martesës së një burri dhe gruaje, megjithatë homofobia qëndron në faktin se një “martesë” e çiftit të seksit të njëjtë të bëhet konform rregullave dhe definicioneve të heteroseksualëve.
RRËNIMI I SË DREJTËS PËR JETË
Argumentet, si të palës “për” dhe palës “kundër” rreth çështjes së legalizimit të martesave të individëve të të njëjtit seks, shterojnë pas një “regressus ad infinitum” dhe prekin dimensionin më metafizik të çështjes, atë të burimit të dijes, e cila i legjitimon bindjet tona. Pala e parë, legjitimitetin e vet e bazon në mendimin mbi qëndrimin relativizues të lirisë njerëzore, kurse pala e dytë e bazon mendimin e saj mbi natyrshmërinë dhe përcaktimin e lirisë në raport me drejtësinë simetrike shoqërore, ku liria është në proporcion të zhdrejtë me drejtësinë.
Në këtë kontekst, sigurimi i jetës dhe të drejtës për jetë është principi themelor mbi të cilin sot gjallëron njerëzimi dhe shoqëria. Sado që “orientimi seksual” mund të kategorizohet tek e drejta e lirisë së mendimit dhe martesa e homoseksualëve në të drejtën për martesë dhe trashëgimi, kjo e fundit e atakon në mënyrë direkte rrënimin e të drejtës për jetë, të drejtës për të krijuar familje dhe trashëgimi.
Njerëzimi dhe shoqëria mbarë deri më sot ka frymuar dhe ka mbartur detyra nga gjenerata në gjeneratë në saje të familjes dhe lindshmërisë dhe ky ka qenë parim universal në të drejtën e individit për jetë. Rrjedhimisht, në kontekst të propozimit të ligjit për martesat e individëve të të njëjtit seks, në shoqëri konservatore siç është Maqedonia, jo që vetëm që e dëmton reputacionin dhe, përmes diskrecionit, i vë para sulmeve brutale individët me “përcaktime seksuale” të tjera, por dëshmon edhe për betejën e humbur të qeverisë së re me drejtësinë, aq më tepër ne demaskimin e një disfate të tillë. Mbulimi i çështjeve kruciale të shtetit në raport me drejtësinë dhe realizimin e të drejtave edhe më elementare njerëzore, krijon pasiguri, dëshpërim, defetizëm dhe, si çdo shoqëri krizash, e bën shoqërinë më fragjile dhe më të ndjeshme ndaj provokimeve që prekin në nderin dhe kodet e etikës familjare. Në një Maqedoni, ku nataliteti është në rënie e sipër te të gjitha komunitetet, forcimi i familjes dhe stimulimi i natalitetit do të duhej të ishte prioritet i këtij shteti.
Të përcaktohesh për familjen nuk nënkupton të jesh homofob, por përfaqësuesit e ekstremizmit liberal, si pakicë organizuese, që përpiqen të qeniesojnë një çështje të paqenë, përmes mekanizmave të manipulimit, ta nënshtrojnë një “shumicë” të paorganizuar, duhet të jenë të kujdesshëm në qasjen që e kanë ndaj dëmit dhe dobisë. Dobia është e paarritshme në qasjen ekstremiste. Ekstremizmi është gjendje psikologjike, ku “uni” rrëshqet në pole dhe, së këndejmi, këndin e rëndesës përpiqet ta qendërzojë padrejtësisht. Humbja e baraspeshës e shtrembëron perceptimin për simetrinë, kurse asimetria e bjerrë komplementaren dhe, rrjedhimisht, harmonia shndërrohet në disharmoni.
Disharmonia e shkërmoq të bukurën, sado që e bukura është vetëzbuluese në paqëllimësi, ndërsa asimetria e kategorive konceptuese e bën të pamundur perceptimin e së bukurës. Aq më tepër kur në tërë këtë proces kognitiv mungon shija estetike, e cila zhvillohet dhe ruhet me sensin e sakrales ose të shenjtës. E vërteta është përjetim estetik dhe zbulohet si e Bukur dhe kuptimësohet vetëm përmes sensit të së shenjtës. Desakralizimi i së Vërtetës, përpos që atë nga një përjetim estetik e ka shndërruar në një të kalkulim logjik, e ka shmangur tërësisht edhe nga thelbi i vet përgjatë procesit të shekullarizimit.
Rrjedhimisht, desakralizimi i natyrës ka shpjerë në ndryshimin e botëkuptimit ndaj saj, me ç’rast nga qasja tradicionale, ku jetohej në harmoni të plotë me të, desakralizimi në njeriun modern perëndimor krijon përshtypje të reja dhe qasje të re ndaj natyrës, ku në vend të subordinimit ndaj saj preferohet eksploatimi i saj. As njeriu, duke qenë pjesë e pandashme e natyrës, nuk i shpëton desakralizmit dhe, në vend të dashurisë ndaj së bukurës njerëzore, ka preferuar tundimin e fetishizimi materialist dhe trupor të tij.
Si konkluzion i krejt kësaj mund të themi se qytetërimi perëndimor gjatë këtij procesi e ka bjerrë përbrenda estetikën e përjetimit të së Vërtetës, duke e margjinalizuar edhe të shenjtën, në përgjithësi, dhe duke e ka margjinalizuar dhe shpërfytyruar familjen, në veçanti. Familja është thelbi i çdo qytetërimi të gjallë dhe qytetërimet vdesin vetëm atëherë kur fillon të cenohet familja dhe shenjtëria e saj.Nga Latif Mustafa /Mesazhi/