Papa: Harris apo Trump, zgjidhni të keqen më të vogël

Papa Françesku i ka përshkruar zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si zgjedhje midis “të keqes më të vogël” – duke i konsideruar politikat anti-emigrim të kandidatit republikan Donald Trump dhe mbështetjen e kandidates demokrate Kamala Harris për të drejtat e abortit – si dy gjëra kundër jetës.

“Njeriut duhet të zgjedhë të keqen më të vogël nga të dy të këqijat. Kush është e keqja më e vogël? Zonja apo zotëriu? Nuk e di. Të gjithë me ndërgjegje duhet të mendojnë për këtë dhe të votojnë në atë mënyrë”, ka thënë Papa në konferencë për shtyp gjatë një vizite në Azi.

Ndërsa ka mbrojtur vazhdimisht dhe me forcë mësimin e Kishës Katolike se aborti është shkatërrim i qëllimshëm i jetës njerëzore, Papa Françesku ka këmbëngulur gjithashtu se nuk mund të izolohet nga çështje të tjera që kanë të bëjnë me jetën njerëzore, përfshirë emigracionin.

“Të përzënë emigrantët, t’i lënë ku munden… kjo është diçka e tmerrshme, kjo është e keqe. Të nxjerrësh një fëmijë nga barku i nënës është atentat. Duhet të flasim qartë për këto gjëra”, ka thënë 87-vjeçari.

Françesku ka folur edhe më parë mbi çështjet politike, duke sinjalizuar pikëpamje më progresive dhe duke lejuar priftërinjtë të falin abortet. Miratoi bekimet për çiftet e së njëjtës gjini dhe dha paralajmërime vazhdimisht për ndryshimet klimatike.

Papa sfidoi peshkopët katolikë në SHBA të cilët këmbëngulën se aborti ishte çështja “më e rëndësishme”, duke argumentuar se gjendja e emigrantëve ishte gjithashtu për mbrojtjen e jetës.

Në vitin 2016, Françesku e përshkroi planin e kandidatit të atëhershëm presidencial Trump për të ndërtuar mur për të parandaluar emigrantët të kalonin kufirin SHBA-Meksikë si “jo të krishterë”.

Papa kritikoi çiftet që zgjedhin të kenë kafshë shtëpiake në vend të fëmijëve, duke u përafruar me pikëpamjet e kandidatit për zëvendëspresident të Trumpit, senatori JD Vance.

Katolikët amerikanë gjithashtu kanë pikëpamje të ndryshme. Sipas “Pew Research”, 52 për qind e votuesve të regjistruar katolikë e përshkruajnë veten si republikanë ose të prirë ndaj asaj partie, ndërsa 44 për qind thonë se janë demokratë.

Votuesit katolikë u ndanë në zgjedhjet e vitit 2020 – 50 për qind votuan për Bidenin dhe 49 për qind për Trumpin.

Por shumica e katolikëve – 61 për qind – besojnë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në të gjitha ose në shumicën e rasteve.

Zgjedhjet në SHBA mbahen më 5 nëntor.