Gjatë vizitës së tij në Sllovaki, muajin e ardhshëm, Papa Françesku planifikon të takojë komunitetin rom.
Takimi pritet të ndodhë në qytetin e Kosices, tha kryepeshkopi, Bernard Bober, përmes një deklarate.
Zyrtarja qeveritare sllovake, që është përgjegjëse për çështjet e romëve, Andrea Buckova, tha se diskriminimi ndaj romëve po vazhdon në Sllovaki dhe se stereotipet dhe paragjykimet ndaj këtij komuniteti po rriten.
Ajo tha se është e nevojshme t’iu kujtojmë brezave të rinj se racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në shoqëri, raporton agjencia sllovake e lajmeve SITA.
“Papa Françesku është i ndërgjegjshëm për problemet e pakicave dhe ka pranuar të marrë pjesë në takim. Ndoshta do të jetë një fillim i ri për bashkëpunimin e shumicës me pakicën”, thuhet në deklaratën e kryepeshkopit, Bober.
Gati 20 për qind e rreth 400,000 romëve të Sllovakisë jetojnë në më shumë se 600 zona të improvizuara banimi me mungesë të kushteve elementare të jetesës.
Deklarata e Bober u lëshua në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit të Romëve, e cila shënon ngjarjet e 2 dhe 3 gushtit të vitit 1944, kur nazistët vranë gati 3,000 romë në Aushvic.
Papa Françesku do të vizitojë Hungarinë dhe Sllovakinë nga 12-15 shtator. /rel