Papa Françesku diskutoi me presidentin e Palestinës zhvillimet në Lindjen e Mesme

Lideri shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku dhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, diskutuan situatën në Lindjen e Mesme, veçanërisht situatën në Gaza dhe statusin e Kudsit, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim të Zyrës së Shtypit të Vatikanit, thuhet se Abbas ka takuar sot Papa Françeskun, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin dhe Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot, Paul Richard Gallagher.

Thuhet se në takim u diskutua mbi marrëdhëniet e mira midis Vatikanit dhe Palestinës. “U theksua kontributi i rëndësishëm i Kishës Katolike për shoqërinë palestineze, veçanërisht në ndihmën për situatën shumë të rëndë humanitare në Gaza dhe u shpreh dëshira për një armëpushim në Gaza dhe lirimin sa më të shpejtë të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë u theksua edhe një herë se të gjitha llojet e terrorizmit dënohen, si dhe u theksua rëndësia e arritjes së zgjidhjes me dy shtete vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë.

Gjithashtu u tha se Kudsi, i cili duhet të mbrohet me një status të veçantë, duhet të sigurohet të jetë vendi i takimit dhe i miqësisë së tre feve të mëdha monoteiste.

Ndërkaq, Abbas pritet të shkojë në Romë nesër dhe të takohet me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.