Papa Françesku nisi vizitën treditore në Irak, të parën vizitë që prej fillimit të pandemisë.
Gjatë këtyre ditëve ai pritet të vizitojë Bagdadin, Jugun e Irakut dhe Erbilin në veri, i cili u bë shënjestër e sulmeve me raketa rreth një javë më parë.
“Unë vij si një pelegrin, si një pelegrin i penduar për t’iu lutur faljes dhe pajtimit nga Zoti pas viteve të luftës dhe terrorizmit, për t’i kërkuar Zotit ngushëllimin e zemrave dhe shërimin e plagëve”, tha Papa Françesku në një mesazh me video, dërguar njerëzve të Irakut, raporton A2.
Kjo do të jetë vizita e parë e një Pape në Irak, një udhëtim i rrezikshëm ky që është shmangur nga paraardhësit e tij.
Iraku vazhdon të ketë luftime e trazira që nga viti 2003, kur koalicioni i organizuar nga Shtetet e Bashkuara pushtoi Irakun, me pretekstin se Iraku nuk kishte arritur të braktiste programin e tij të armëve të shkatërrimit në masë në kundërshtim me Rezolutën 687 të Kombeve të Bashkuara. Ky pretendim bazohej në dokumentet e siguruara nga CIA dhe qeveria Britanike që më vonë u zbuluan se nuk ishin të besueshme.