Papa bën thirrje për ndërprerje të menjëhershme të sulmeve Izraelite në Gaza

Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, ka kërkuar nga Izraeli të ndalojë menjëherë sulmet ndaj Gazës dhe të arrihet një “armëpushim përfundimtar”.

“Jam i trishtuar nga rifillimi i bombardimeve intensive izraelite në Rripin e Gazës, me kaq shumë të vdekur dhe të plagosur,” shkroi Papa në lutjen e tij Angelus, e cila u publikua teksa 88-vjeçari po dilte nga spitali pas më shumë se pesë javësh trajtimi.

“Bëj thirrje që armët të heshtin menjëherë dhe të gjendet guximi për të rifilluar dialogun, në mënyrë që të gjithë pengjet të lirohen dhe të arrihet një armëpushim përfundimtar,” tha ai.

Papa Françesku gjithashtu nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare për të përballuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.