Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Papa akuzon Evropën për injorim të problemit të migrantëve

Papa akuzon Evropën për injorim të problemit të migrantëve

Përpara 40 emigrantëve, papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund një “mbytjeje të civilizimit”, në një fjalim të cilësuar si të jashtëzakonshëm në kampin e emigrantëve të Mavrovounit, në Lesbos, pesë vjet pas vizitës së tij të parë në këtë ishull ikonik grek të krizës së migracionit.

”Mesdheu po bëhet një varrezë e ftohtë pa gurë varresh (…) Ju lutem, le ta ndalojmë këtë fundosje të qytetërimit!”, deklaroi papa, në ditën e dytë të vizitës së tij në Greqi, e shënuar nga një vizitë rrufe në Lesbos.

Jorge Bergoglio, vetë nga një familje emigrantësh italianë të vendosur në Argjentinë, nuk resht së përkrahuri për pritjen e mijëra ”vëllezërve dhe motrave”, pa bërë dallim mes fesë, statusit të refugjatit apo mërgimtarit ekonomik.

Papa Françesku, i cili është në një vizitë zyrtare triditore në Greqi që nga e shtuna, fluturoi sot për në Lesbos për t’u takuar me emigrantët në Qendrën e Pritjes dhe Identifikimit në ishull.

Kreun e Kishës Katolike për në Mavrovouni (Kara Tepe) e shoqërou presidentja greke Katerina Sakellaropoulou.

Në ishull atë e mirëpriti ministri i Migracionit dhe Azilit, Notis Mitarachi.

Papa, i cili ka përdorur turneun e tij aktual në Mesdheun Lindor për të nxjerrë në pah gjendjen e vështirë të migrantëve dhe refugjatëve, vizitoi Lesbosin për herë të fundit në vitin 2016, kur kampi famëkeq i mbipopulluar i Morias ekzistonte ende.

Ai kamp u dogj në vitin 2020, kështu që papa Françesku takoi emigrantët në strehimin e tyre të përkohshëm.

Kreu i Kishës Katolike vizitoi gjithashtu Qipron si pjesë e udhëtimit të tij, ku mbajti një fjalim plot pasion ku denoncoi krizat e vazhdueshme të migracionit.

Më shumë se 900 forca policore ishin sot në ishull për të garantuar sigurinë e papa Françeskut. /atsh

Exit mobile version