Panel: E djathta ekstreme ne Europë

“Rritja e të djathtës ekstreme në Evropë dhe ndikimi i saj në Ballkan” ishte tema e panelit të mbajtur nga studentët dhe studiuesit shqiptarë në kryeqytetin turk, Ankara. Të ftuar në panel ishin studentët shqiptarë: Joana Ruçi, nga Universiteti Gazi dhe Inxhi Brisku nga Middle East Technical University, Ankara.

Tema bosht e diskutimit ishte rritja e të djathtës ekstreme në Evropë dhe ndikimi i saj në Ballkan. Joana Ruçi foli rreth historikut të së djathtës ekstreme në Evropë, faktorët që ndikuan në rritjen e lëvizjeve ekstremiste djathtiste, karakteristikat që bartin lëvizjet në fjalë, ku u tha se “ksenofobia, populizmi dhe islamofobia, janë elemente të përbashkëta që hasen te këto lëvizje”. Mëtej, prezantimi, u fokusua në Maqedoni, rreth ekstremit të djathtë maqedon, eksponentët e kësaj fryme, pasojat që solli ai dhe u bë një vlerësim i përgjithshëm i ngjarjeve të fundit në Maqedoni, ku u vlerësua se gjendja është tepër fragjile, posaçërisht pas zgjedhjeve të fundit.

Inxhi Brisku, po ashtu foli rreth historikut të së djathtës ekstreme në Evropë, krizat ekonomike, valën e refugjatëve dhe migrantëve dhe ndikimit të tyre në fuqizimin e lëvizjeve ekstremiste djathtiste. Rritja e konkurrencës nga krizat që po përjeton kapitalizmi dhe dalja në pah e kapitalizmit proteksionist. U vlerësua po ashtu, se e djathta ekstreme ka qasje euroskeptike, dhe si e tillë nxit në fuqizimin e shtetit komb. Brexit mund të konsiderohet që ndodhi si rezultat i këtyre zhvillimeve. Madje edhe shtetet bërthamë të BE-së, si Gjermania dhe Franca kanë shfaqur tendenca serioze, sa i përket euroskepticizmit. Inxhi Brisku po ashtu foli rreth “utopisë së intelektualëve shqiptarë”, rreth të djathtës ekstreme greke që u kurorëzua me Agimin e Artë dhe zhvillimeve në Mal të Zi e Serbi. Pas sesionit të pyetjeve, përgjigjeve e diskutimeve nga pjesëmarrësit, paneli u përmbyll me një koktej rasti.

Paneli u organizua nga Nisma për Afirmim të Mendimit – NAM, me përkrahjen e YTB-së dhe Unionit Studentor Shqiptar në Ankara./ NAM