Ballina Autorë Opinione Pandershmëri dhe pabesi diplomatike ndaj Kosovës

Pandershmëri dhe pabesi diplomatike ndaj Kosovës

Abdi Baleta

Diplomacitë perëndimore e kanë tepruar gjithë kohën me përpjekjet që t’ia ngarkojnë Kosovës të paguajë të gjitha faturat për “uljen e tensioneve” dhe të “shmangieve të rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit” në Veriun e Kosovës. Prandaj, bie në sy si pandershmëria politike dhe diplomatike kur përfaqësues të demokracive europiane ose dhe të SHBA-së ushtrojnë trysni deri në kufijtë e shantazhit të hapur mbi autoritetet qeverisëse të Republikës së Kosovës, sipas formulës së njohur “merre ose lëre”.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kur isha ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB, ndodhën demonstratat studentore të marsit 1981 në Prishtinë. Për shqiptarët u krijua një gjendje e re, sa e frikshme, aq dhe shpresëdhënëse. Çdo lajm për reagimet ndërkombëtare rreth këtyre zhvillimeve bënte përshtypje të fortë. Një ditë më telefonoi, për herë të parë, Bernard Nositer, korrespondenti i gazetës “New York Times” pranë OKB-së, dhe më ftoi për një drekë. Drekuam të nesërmen jo larg nga selia e OKB-së. Thelbi i bisedës ishin zhvillimet e trazuara në Kosovë. Ai më tha se në SHBA këto zhvillime po ndiqen me shumë kujdes, por Amerika nuk mund të bënte asnjë lëvizje në dobi të shqiptarëve, sepse ishte më shumë e interesuar për ruajtjen e një Jugosllavie të qëndrueshme si faktori kryesor i stabilitetit në Ballkan. Kanë kaluar mbi katër dekada nga ajo drekë dhe sot SHBA-ja nderohet deri në fetishizim nga shqiptarët për mrekullitë që kanë bërë për çlirimin e Kosovës, për krijimin, njohjen e përparimet e deritanishme të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Shqiptarët sot, madje, po rreshtohen për një luftë politike, gati si luftë fetare, midis atyre që hiqen si “proamerikanë” të thekur dhe atyre që akuzohen si “antiamerikanë”. Kjo ndarje tani po bie në sy nëpërmjet sulmeve që vënë në shënjestër pushtetin në Kosovë e sidomos kryeministrin Albin Kurti, të akuzuar për “antiamerikanizëm”, që rrezikoka ta lërë Kosovën pa miq, pa partnerë e pa aleatë politikë në Perëndim.

Këto tre muajt e fundit, pas dështimit në bisedimet e Ohrit të jetësimit të planit franko-gjerman për qetësimin e gjendjes shpërthyese në Veriun e Kosovës, diplomacitë perëndimore po shoqërojnë sistematikisht me sinjale e mesazhe përkëdhelëse për Serbinë dhe paralajmëruese për shqiptarët në atë frymë politike e diplomatike sikurse më shpjegonte gazetari amerikan në pranverën e vitit 1981 në Nju Jork. Veçse kësaj here pesha e qëndrimi politik e diplomatik më duket më e pazakontë kur mbajmë parasysh si janë zhvilluar ngjarjet që atëherë. Po të shkohet më tej në këtë rrugë, zbatuesve të realpolitikës së atëhershme përkëdhelëse ndaj ish-Jugosllavisë, në diplomacitë perëndimore do t’u duhet ta kthejnë shumë mbrapa historinë dhe të revizionojnë një sërë ndryshimesh që u shënuan në Ballkan pas vitit 1990-të, ndryshime këto që u mundësuan në radhë të parë nga angazhimet e SHBA-së dhe NATO-s për të prishur planet ekspansioniste e hegjemoniste të Serbisë së Millosheviqit.

Pikërisht për këtë arsye shqiptarët janë sot më të vetëdijshmit e më të interesuarit se gjithkush tjetër në Ballkan për domosdoshmërinë e vazhdimit të mëtejshëm të atij roli që kanë luajtur SHBA e NATO në përcaktimin vendimtar të deritanishëm të fatit të Kosovës, madje për të garantuar perspektiva më të mira në jetësimin e të drejtave ende të papërmbushura të kombit shqiptar, të përkufizuara qartë në korrik të vitit 1983 nga kryetari i Komitetit të Senatit për Punët e Jashtme, Xhesi Helms. Prandaj nuk mund ta quajmë ndershmëri politike e diplomatike qëndrimin e diplomacive perëndimore që synojnë Kosovën ta mbajnë të mbërthyer tani në një qoshe të ringut, ndërsa Serbisë i krijojnë kushte e lehtësira që ta godasë sa më shpesh dhe sa më fort. Por, ka edhe më keq se kaq – ka pabesi politike brenda faktorit shqiptar që shprehet me qëndrime dhe sjellje absurde, deri në kufijtë e tradhtisë kombëtare. Në propagandën shqiptare vihet re një histeri e përditshme dhe përnatshme propagandistike për të trullosur gjithë opinionin publik shqiptar e të huaj se qenka gjoja vetë pushteti shqiptar i sotëm i Republikës së Kosovës që po dashka e veproka për të hedhur në erë miqësinë e madhe shqiptaro-amerikane dhe Kosova tashmë paska rrëshqitur në humnerën e vetizolimit të plotë edhe nga miqtë më të mirë të saj perëndimorë.

Të akuzuarit e mëdhenj e të përditshëm të zërave e jehonave disfatiste janë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, që në krahasim me paraardhësit po bëjnë një punë të lavdërueshme në kryerjen e detyrave të tyre. Mirëpo, një numër diplomatësh perëndimorë dhe gjithë antialbinsat e papërmbajtur shqiptarë nuk durojnë dot që Kryeministri Albin Kurti deri tani nuk ka shfaqur shenja të kapitullimit të ri diplomatik dhe po i vërsulen pa ndërprerje me qortime të kota, jo me argumente thelbësore, rreth çështjeve për të cilat bëhen përplasjet. Prej tij kërkojnë vetëm dëgjueshmëri të skajshme ndaj diplomacive perëndimore për kapërcimin e përkohshëm të situatave të acaruara sipas orekseve të Beogradit, jo për ndonjë zgjidhje thelbësore të ndeshjeve shqiptaro-serbe. Janë të njohur një grup diplomatësh perëndimorë, që ngecjet e skemave e të kompromiseve që ata propozojnë t’i shpjegojnë edhe me propagandën e antialbinsave shqiptarë, me “kokëfortësinë e partnerit Albin Kurti”, me “egon personale të Albin Kurtit”. Nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë që këta diplomatë perëndimorë të bëjnë karakteristika të tilla për Vuçiqin. Përkundrazi, ata nuk mbajnë fare parasysh se politika në rastin më të këndshëm është ballafaqim argumentesh dhe në rastin më të papëlqyeshëm është raport forcash. Prandaj ata operojnë në mënyrë të atillë që gjatë procesit të bisedimeve ta vënë në vështirësi të kota palën shqiptare me cilësime për karakterin personal të bashkëbiseduesve shqiptarë që nuk u pëlqejnë. Me këto teknika bisedimesh synohet gjithmonë e në çdo rast që dëgjueshmëria e skajshme të jetë vetëm kërkesë të cilën duhet ta plotësojnë në radhë të parë e në përmasa të palogjikshme negociatorët shqiptarë. Diplomacitë perëndimore e kanë tepruar gjithë kohën me përpjekjet që t’ia ngarkojnë Kosovës të paguajë të gjitha faturat për “uljen e tensioneve” dhe të “shmangieve të rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit” në Veriun e Kosovës. Prandaj, bie në sy si pandershmëria politike dhe diplomatike, kur përfaqësues të demokracive europiane ose edhe të SHBA-së ushtrojnë trysni deri në kufijtë e shantazhit të hapur mbi autoritetet qeverisëse të Republikës së Kosovës, sipas formulës së njohur “merre ose lëre” dhe u kontestohet autoriteteve e institucioneve shtetërore shqiptare të Kosovës të bëjnë të njohur aspiratat e të drejtat e shtetit të tyre, ndërsa përfaqësuesve serbë nuk u vihet asnjë kufi vetëpërmbajtjeje në pretendimet arrogante dhe kërcënimet me luftë.

Antialbinsat shqiptarë si armën e tyre më të efektshhme e përdorin arsyetimin se gjithçka që ka arritur e gëzon Kosova deri më sot si shtet i pavarur, si vend i çliruar dhe si shoqëri demokratike, është dhuratë nga SHBA-ja, pa kujdesin e së cilës nuk do të kishte Kosovë të pavarur e nuk mund të ketë shtet të saj sovran. Të gjithë shqiptarët duhet të pranojnë disa vlera të arsyetimeve të tilla të sotme, por jo të vendosen ato në një kornizë të ngushtë dhe të keqreklamohen, siç propozojnë ose edhe spekulojnë shpesh antialbinsat për të përhapur vetëm frikë se ekziston rreziku iminent, që shqiptarët të privohen nga marrëdhëniet e ngushta me Amerikën ose edhe të humbasin vëmendjen që u ka kushtuar deri tani BE-ja. Kosovë shqiptare e komb shqiptar në Kosovë ka pasur edhe kur ajo lëngonte nën pushtimin e huaj ose ngrihej në luftë e qëndresë masive. Nuk duhet lejuar në kushtet e tanishme që për inatet politike që kanë kategori të caktuara njerëzish me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin dhe nga komplekset për “Serbinë e forte” e “Kosovën e dobët” të krijohet një atmosferë e helmuar propagandistike, sikur Serbia e Vuçiqi aleatët më të mirë tashmë i kanë gjetur midis vetë shqiptarëve. Shqiptarët duhet të vetëdijësohen më shumë se edhe ata që akuzohen si antiamerikanë nuk mund të jenë më pak të interesuar për miqësinë e ngushtë me SHBA-në sesa janë propagandistët e përgjëruar për miqësinë me Amerikën në ekranet televizive.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë marrë tashmë një fizionomi të qëndrueshme strategjike, por u nënshtrohen në të njëjtën kohë edhe lëkundjeve konjukturale të shkaktuara nga zhvillimet në botë dhe brenda në SHBA. Në mendimin politik dhe në praktikën e qasjet diplomatike amerikane ndaj Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve, ka variante e modele të veçanta e të ndryshueshme rreth të njëjtit bosht strategjik, që në çaste të caktuara mund të lënë përshtypjen se po ndodh edhe një zbehje që favorizon ata që nuk janë dashamirë ndaj halleve shqiptare. Pra, duhet mbajtur mirë parasysh se në SHBA nuk ka një rrymë të vetme mendimi e veprimi në marrëdhëniet me shqiptarët dhe se në Shqipëri terreni politik nuk është krejt i pastruar nga ndikimet e një antiamerikanizmi të mbetur nga e kaluara dhe ka infektuar herë pas here politikanët kryesorë shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit. Madje, duhet pranuar se rritjes së nivelit të antiamerikanizmit në Shqipëri më së shumti po i shërben propaganda disfatiste e antialbinsave.

Edhe për marrëdhëniet me Kosovën në SHBA konkurrojnë rryma paralele analizash politike dhe qasje të njëkohshme të veçanta në praktikat diplomatike. Nga SHBA-ja shqiptarëve të Kosovës tani po u vijnë me një gjuhë më të prerë se disa vite më parë sinjale politike shqetësuese, që mjerisht në Kosovë nuk vlerësohen si duhet në kuadër të të gjithë zhvillimeve, por më shumë po përdoren nga opozitarët e propagandistët televizivë për të dobësuar qëndresën qeveritare kosovare dhe për të kurdisur sërish ndonjë përmbysje të tipit “Grenel” të qeverisjes së Vetëvendosjes. Prandaj duhet vlerësuar me seriozitet se edhe qëndresa kosovare po hyn në një etapë të re historike përballë rritjes së agresivitetit të Serbisë dhe në kushtet kur të gjithë faktorët, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, po çorientohen disi nga përkëdhelitë e diplomacive perëndimore për Serbinë, sidomos pas dështimit të bisedimeve të Ohrit më 18 mars 2023 dhe në vazhdën e dështimeve shumëvjeçare të Brukselit, që nuk ka arritur asgjë në bisedimet e gjata për të gjetur shtigje të afrimit të qëndrimeve serbo-shqiptare. Bisedimet e Brukselit nuk kanë më kuptim të vazhdojnë si deri tani, në të njëjtën frymë e format. Ato duhet t’i nënshtrohen një procesi të thellë strukturimi e konceptimi, duke nisur nga largimi pa vonesë i dyshes Borell-Lajçak si “lehtësues të bisedimeve”, që gjithë peshën e mëkatit e hedhin mbi shpatullat e shqiptarëve.

Kosovës e shqiptarëve po u kërkohet ende, me më shumë ngulm se më parë, që mirënjohjen e tyre ndaj çlirimtarëve në vitin 1999 dhe ndaj vendimeve që diplomacitë perëndimore morën për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës në shkurt të vitit 2008 të vazhdojnë ta shprehin e ta provojnë me më shumë gjeste të përsëritura, që çojnë në vetëvrasje kombëtare e rrënim të pavarësisë e të sovranitetit shtetëror.

Një shembull konkret të përpjekjeve për zbehjen në këtë mënyrë të shtetshmërisë së pavarur të Kosovës e kemi tashmë trishtueshëm para syve në veprimtarinë që po bën Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, ku po dekretohet në fakt shkurorëzimi i simbolizmit dhe i lavdisë që i dha Kosovës lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq, manovrat pa mbarim që kurdisen në tryezat e bisedimeve politike e diplomatike, gjoja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, po keqpërdoren për të zhvlerësuar modelin e qeverisjes dhe të qëndresës ndaj Serbisë që ka mundësuar fitorja e thellë e Vetëvendosjes në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme.

Prandaj antialbinsat po përpiqen që modelin e qeverisjes në interes të vendit, për të cilin akuzohet Vetëvendosja, ta njollosin sa më shumë dhe në rrafshin diplomatik. Prandaj janë të shumta forcat që bëjnë shantazh “grenelian”, që modeli i qeverisjes së Vetëvendosjes të fshihet si i dështuar nga analet e politikës e diplomacisë kosovare, që të mos mbeten më as gjurmë trashëgimie politike për forca të tjera politike që mund të dalin në skenë në të ardhmen. Prandaj, për të tilla zgjidhje interesohen edhe faktorët ndërkombëtarë, që t’i imponojnë Kosovës sa më shpejt dhe me nënshkrim të Albin Kurtit marrëveshjen për Zajednicën në formatin që e do Beogradi, që të kenë mundësi më vonë të justifikohen, si në rastin e Gjykatës Speciale, se gjithçka e deshën dhe e bënë vetë shqiptarët. Prandaj, ndërkombëtarët kthehen herë pas here tek taktikat e përdorura në të kaluarën, si taktika “standardet demokratike para statusit juridik të Kosovës”. Synimi i tanishëm është që puna me Asociacionin të vuloset si e mbaruar para se të nisin bisedime të tjera pa fund.

Uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, një rrymë e politikës perëndimore po e përdor edhe si perde maskuese të kthimit mbrapa të të gjithë procesit që çoi në pavarësimin e Kosovës. Duke përfituar nga sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe ngritja e përgjithshme e tensioneve në botë, kjo rrymë po nxiton të përfitojë nga situata për të kthyer mbrapsht proceset në Kosovë. Duan ta kthejnë në nivelin e bisedimeve në Rambuje në vitin 1999 ose në Dejton 1995. Prandaj është shumë entuziast në angazhimin e tij proserb ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, ish-arkitekti, bashkë me rusin Majorski, i teksteve të Rambujesë, që kujtonim gabimisht se u kishte humbur nami e nishani prej bombardimeve mbi Serbi, që i urdhëroi presidenti amerikan Klinton dhe pas vendimit që mori dhe përmbushi pa kthim mbrapa presidenti amerikan Xhorxh Bush i Riu në 2008, që Kosova të bëhej e të njihej si shtet i pavarur. Për fat të keq, tani i gjithë ky proces ka pasur dhe kundërshtarët tij në SHBA dhe prandaj po vihet në sprovë të re nga një krah në diplomacinë amerikane dhe kërkohet që më parë të njihet pavarësia e Asociacionit serb nga Kosova se pavarësia e Kosovës nga Serbia.

Diplomacitë perëndimore e dinë mirë se ku mund të çojë një eksperiment i tillë. Na e ka treguar Bosnja me Republikën Srpska. Si për ironi, pikërisht ditët e fundit po na e kujton edhe rasti i MEK-ut në Tiranë, i muxhahidinëve opozitarë iranianë, që para 10 vitesh, me kërkesën e nën kujdesin e SHBA-së, u vendosën si një trup i huaj në territorin e Shqipërisë, e cila tani nuk e di se çfarë do të bëjë me ta, pasi SHBA-ja bënë deklarata se po lajnë duart prej tyre. Të gjithë i pamë skenat e tensionuara në kampin e muxhahidinëve në ditën e aksionit policor nga policia shqiptare. Kur një grup refugjatësh, qoftë edhe politikë, të vendosur në territorin tonë me marrëveshje të qartë, nga një vend i largët dhe që me shtetin e tyre të origjinës janë në armiqësi, krijojnë të tilla tensione, mund të parafytyrohet fare lehtë se në çfarë vështirësish do të vendoset nesër shteti i Kosovës nga Asociacioni. Rasti i MEK-ut shërbeu pa dashje si një eksperiment laboratori që tregon përmasat dhe problemet e vërteta që do të krijojë nesër Asociacioni në funksionimin e shtetit të Kosovës.

Punët në Ballkan, në vend që të ndreqen, po ngatërrohen. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë e ka mendjen si të sajojë batuta pickuese për Albin Kurtin, si të sabotojë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe, mbi të gjitha, si të bëjë propozime enigmatike që ende mbahen të fshehta për rregullimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Cilado qoftë magjia që mund të ketë mbyllur Rama në atë zarf, Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të vjetra e të reja mbi Kosovën e kundër shqiptarëve.

Pas arritjes së marrëveshjes mbi Asociacionin, kujdesi i parë i Serbisë do të jetë që edhe në Prishtinë të vendoset një qeverisje si e Ramës në Tiranë. Enigma e radhës nuk do të jetë më se çfarë magjie fsheh zarfi i Ramës, por a ka ndër mend diplomacia perëndimore të tentojë një eksperiment të dytë të tipit “Grenel” në Prishtinë. /revistashenja

Exit mobile version