Pandemia rrit numrin e familjeve të varfra

Familja katëranëtarëshe Aliu nga Hajvalia, është njëra nga familjet në Kosovë e cila po përballet me kushte të vështira financiare.

Pandemia, thotë kryefamiljarja Fatmire Aliu, ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale. Ndihmën që ata kanë marrë nga familjarët para pandemisë, thotë ajo nuk mund ta marrin, pasi që të gjithë tani po përballen me vështirësi ekonomike.

“Kushtet i kemi të vështira. Për ushqim shumë pak po dalin paratë që i marrim. Burri punon, por tash është pa punë. Ai ka pasur rrogën 300 euro, 200 euro i kemi kredi dhe 100 euro na mbesin. Fëmijët i kemi të vegjël njëri është 12 vjeç dhe tjetri është 11 vjeç. Po e shtyjmë si po mundemi. Edhe unë jam e sëmurë. Në këtë kohë të pandemisë e kemi pasur më vështirë, vëllai im në fillim të pandemisë na ka sjellur ushqim e gjëra të tjera e tash si po mundemi po e shtyjmë”, thotë ajo.

Edhe N.I, emër i njohur për redaksinë, e cila jeton në banesat sociale në Prishtinë, thotë se gjatë kohës së pandemisë e kanë pasur më të vështirë jetën, pasi që janë ndihmuar më pak nga njerëzit.

“Vështirë është të jetojmë me ato para sa i marrim. Ne marrim 70 euro në muaj ndihmë sociale. Jemi dy anëtarë, unë dhe burri. Dy veta jemi i marrim 70 euro. Është vështirë, dikush na ndihmon pak, dikush kush mundet. Shteti është dashur të na ndihmon më shumë në këtë kohë. Ushqim ndonjëherë na sjellin. Duhet blerë ilaçe janë pak këto para, por po ja dalim disi”, thotë ajo.

Gjatë pandemisë, Skemës së Ndihmës Sociale i shtohen mbi 550 familje

Në Kosovë, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Kryqit të Kuq të Kosovës tregojnë se numri i familjeve të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kohës së pandemisë.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për informim e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se gjatë kohës së pandemisë numri i familjeve është rritur për 559 familje.

“Numri i shfrytëzuesve të Skemës së ndihmës sociale në janar të vitit 2020, ka qenë 24.229 familje, me 98.214 anëtarë të familjes, ndërsa në muajin e fundit në korrik kanë qenë 24.737 familje, me 98.725 anëtarë të familjes. Krahasuar me muajin shkurt, numri i familjeve, shfrytëzues të skemës sociale është rritur për 559 familje në skemën e ndihmës sociale”, thuhet në përgjigje.

Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria e Kosovës, është prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se nisur nga numri i madh i familjeve që janë të përfshirë në skemat sociale, tregon se varfëria në Kosovë vazhdon të mbetet ende e lartë. Të dhënat e fundit për nivelin e varfërisë në Kosovë janë të vitit 2017 të Bankës Botërore dhe nuk janë përditësuar.

Sipas këtyre të dhënave, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri. Prej tyre rreth 18 për qind jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Familje të shumta i drejtohen për ndihmë Kryqit të Kuq, kërkojnë ushqim

Numrit prej 14 mijë familjeve të varfra të evidentuara në Kryqin e Kuq gjatë pandemisë i janë shtuar edhe shumë të tjera, thonë zyrtarë të kësaj organizate.

Antigona Sopjani, koordinatore për mirëqenie sociale në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë gjendja e pandemisë ka shkaktuar një krizë të madhe në aspektin e numrit të familjeve që kanë nevojë për ndihmë.

“Është rritur mjaft numri i këtyre familjeve që çdo ditë trokasin në dyert e Kryqit të Kuq. Ky numër është mjaft i madh krahasuar me vitet e kaluara. Nuk mund të them shifër të saktë, por duke u bazuar në kërkesat e vazhdueshme që na vijnë në zyrat tonë është numër i madh. Kryesisht, këto familje kanë nevojë për ushqim dhe produkte higjienike. Së fundi është rritur kërkesa për barna, por Kryqi i Kuq nuk e ofron këtë ndihmë”, thotë Sopjani. Ajo tregon se gjatë periudhës së pandemisë kanë shpërndarë mbi 20 mijë pako ushqimore dhe higjienike për familjet e varfra.

Sopjani bën të ditur se personat të cilët kanë kërkuar ndihmë gjatë pandemisë e të cilët para kësaj periudhe nuk kanë qenë në listat e Kryqit të Kuq, janë persona të cilët kryesisht kanë humbur vendet e tyte të punës.

“Ne deklaratat e tyre që ne i kemi ata thonë se janë tani të papunë pasi shumë kompani kanë bërë shkurtime dhe janë të papunë, por kemi punëtorë fizik të cilët kërkojnë ndihmë odhmë, këta pra janë kërkues të ndihmave tani”, thotë ajo.

Numri i qytetarëve të Kosovës që kanë humbur punën gjatë kësaj kohe konsiderohet të jetë i lartë, por që nuk ka të dhëna të sakta.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, pati thënë se nëse merren parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, deri në 25 mijë vende pune mund të humbin si pasojë e pandemisë.

Rreth 25 mijë vende të humbura pune, sipas Rukiqit është në variantin më pozitiv, pasi që kjo shifër mund të shkojë deri në 50 mijë e më shumë varësisht nga kohëzgjatje e pandemisë.

Banka Botërore po ashtu ka raportuar për rritje të shkallës së varfërisë në botë si pasojë e COVID-19, sëmundje që shkakton koronavirusi.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass në muajin maj pati thënë se deri në 60 milionë persona në botë do të përballen me varfëri ekstreme si pasojë e koronavirusit.

“Vlerësimi ynë është që deri në 60 milionë persona do të shtyhen drejt varfërisë ekstreme – që shkatërron përparimin e bërë në zhdukjen e varfërisë në tre vjetët e fundit”, kishte paralajmëruar ai.