Pandemia e COVID-19 shton vetëvrasjet në Japoni

Japonia ishte dëshmitare e rritjes më të lartë në dekadë të rasteve të vetëvrasjeve vitin e kaluar mes pandemisë së COVID-19 ndërsa numri i grave dhe të rinjve që i dhanë fund jetës së tyre u rrit në mënyrë drastike në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Situata u cilësua si “e rëndë” nga Ministria e Shëndetësisë.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Policisë së Japonisë sot treguan se 20.919 persona kryen vetëvrasje në vitin 2020, që është 3.7 për qind më shumë se në vitin 2019, që është shifra më e lartë në 11 vitet e fundit, njoftoi “Kyodo News”.

Shumica e rasteve të vetëvrasjeve u regjistruan në tetor të vitit të kaluar kur 2.199 persona i dhanë fund jetës së tyre.

“Është e mundur që pandemia ka shkaktuar efekte të ndryshme. Përveç mbështetjes së ekonomisë dhe jetës së përditshme, qeveria do të shtojë shërbimet e konsultimit dhe do të prezantojë organizata mbështetëse për njerëzit në nevojë”, tha një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies së Japonisë.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëvrasjet në mesin e burrave shënonin rënie për më shumë se një dekadë, duke arritur në 13.943 vetëvrasje të regjistruara vitin e kaluar, ndërsa vetëvrasjet midis grave u rritën me 14.5 për qind në 6.976, domethënë shifra më të lartat në vitet e kaluara.

Kriza financiare globale e vitit 2009 kishte rezultuar në rritjen e vetëvrasjeve në vendin që po përballet me një popullsi të mbi plakur.

Një faktor tjetër shqetësues në vend është se vetëvrasjet në mesin e komunitetit studentor gjithashtu shënuan një rritje me 440 të regjistruar vitin e kaluar, hera e parë që nga viti 1986 kur u regjistruan 401 raste të tilla.

Ekspertët japonezë besojnë se pasiguria në punë midis pandemisë “si dhe barrës së shtuar të kujdesit për fëmijët, pasi më shumë njerëz qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka tendencë të shkaktojë më shumë stres për gratë sesa burrat”.

“Gratë janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve në jetën e tyre të shkaktuara nga pandemia pasi ato kanë më shumë punë jo të rregullt sesa burrat dhe pesha e punës në shtëpi dhe kujdesi për fëmijët është e madhe”, tha Takanori Hirano, profesor i sociologjisë në Universitetin Momoyama Gakuin në Provincën Osaka.

Ai shtoi se komunitetit studentor “padyshim u ndje i stresuar pas rihapjes së shkollave pas mbylljes së përkohshme për shkak të virusit”.