Ballina Lajmet Kosovë Panairi i Punës ofron 3000 vende të lira të punës

Panairi i Punës ofron 3000 vende të lira të punës

“Ejani takoni punëdhënësin tuaj potencial” është motoja e Panairit të Punës i cili është hapur sot për herë të dytë në Kosovë.

Ky panair i organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Odën Ekonomike Shqiptaro-Gjermane dhe Unionin e Bizneseve Shqiptaro – Gjermane, ka për qëllim vënien në kontakt të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe punësimin e sa më shumë personave.

Ministri në detyrë i Punës Arban Abrashi u shpreh shumë i kënaqur me këtë aktivitet duke konsideruar se në këtë mënyrë po tregojnë se Kosova është vend atraktiv për investime dhe për punë.

“Diku rreth 3000 vende të lira të punës flasin vet. Bashkëpunimi ka filluar në funksionalizimin e disa masave të punësimit siç janë subvencionimi i pagave, trajnime për vetëpunësim, grante por edhe Panairi i Punës në këtë rast. Prandaj ky aktivitet i sotëm është vetëm një prikë e aktiviteteve të cilat ne i kemi të përbashkëta me GIZ-n në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës. Prandaj është një mundësi e mirë t’i tregojmë edhe vetes edhe publikut se në Kosovë ka vende të lira të punës, në Kosovë mund të bëhet biznes, Kosova është vend atraktiv për investime dhe vend atraktiv për kryerjen e shërbimeve dhe shitjen e shërbimeve”, tha Abrashi.

Martin Menger nga ambasada gjermane në Kosovë tregoi se mangësia kryesore në Kosovë sipas tij është mungesa e vënies në kontakt të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe se qëllimi kryesor i Panairit është që të mundësojë krijimi i kontakteve.

“Për momentin ne shohim një mangësi në ndërmjetësim ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, si ata të vihen në kontakt dhe për shkak të kësaj mungese punëdhënësit e kanë shumë të vështirë t’i gjejnë kandidatët e tyre potencial .100 kompani nga Kosova dhe nga Gjermania sot janë këtu prezent dhe të gjithë së bashku arrin një numër të pozitave të lira për punës në mbi 2500”, tha Menger.

Edmond Gashi nga GIZ-i që është edhe bashkëorganizator i Panairit tha se në këtë Panair po ofrohen rreth 3000 vende të lira të punës.

“Kemi 2500 vende të lira të punës ,kemi rreth 300 në praktikë dhe rreth 3000 shkon në total. Kur them 2500 vende të lira këto janë kontrata të rregullta nuk janë punë sezonale. Shumica është një pjesë rreth 30 përqind për Gjermani. Ne kishim 280 kërkesa, 280 kompani, ku kemi përzgjedhur vetëm 100, s’kemi hapësirë më shumë. Kemi tentuar tii përzgjedhim kompanitë që janë më të përgjegjshme. Profesionet janë të ndryshme fillon nga profesionet elitare mjekë, inxhinierë pastaj profesione të tjera në administratë, gjithashtu me shkollë të mesme ndërtimtari, zdrukthëtar , metalpunues e kështu me radhë”, tha Gashi.

Vllaznim Kelmendi ka nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-gjermane tregoi se në Panair rreth 50 përqind janë kompani gjermane me pronarë nga Kosova.

Ai tha se qëllimi për pjesëmarrje është që përmes këtij Unioni t’iu hapen dyert njerëzve të cilët kanë nevojë për punë në Gjermani.

Në Panair kanë marrë pjesë edhe kompani nga Kosova. Përfaqësuesja e kompanisë Baruti Yllresa Shala tha se numri i të interesuarve për të aplikuar është shumë i madh.

“Kompania Baruti mundëson që të rinjtë të vinë dhe sa më shumë të informohen për veprimtarinë me të cilën merret Baruti…Interesimi është relativisht i madh”, tha ajo.

Ata që më së shumti ishin të interesuar për të aplikuar në Panair të Punës janë studentët.

Festim Konushevci, i cili studion në Universitetin e Prishtinës tregoi pse ka vendosur të vijë në këtë Panair.

“Sot kena ardhë pak me vizitu Panairin e Punës me kqyrë çka ofrohet sigurisht më shumë për neve të rinjve çfarë vendesh edhe për shoh që shumica janë orientuar nga jashtë me shku mirëpo edhe interesimi për Kosovën është relativisht goxha i mirë kështu që vende ka të lira”, tha Konushevci.

Edhe një i ri me mbiemrin Sadiku ka treguar pse ka zgjedhur që të vizitojë Panairin e Punës. Por ai shpreh mëdyshje në seriozitetin e Panairit për të punësuar njerëz.

“Kom ardh në Panair për shkak se në Kosovë nuk po ka shumë punë ose s’po ka shumë komoditet ose rroga të mira për atë arsye edhe jena ardhë këtu. S’po mund ta vlerësojmë punën e tyre se nuk po e dimë sa oshtë serioze hala nuk është diçka e garantueme”, tha ai.

Organizime të tilla pritet edhe gjatë viteve të ardhshme ndërsa Panairi do të jetë i hapur deri në orën 19:00.

Exit mobile version