PAN-i do ta ketë vetëm një tentim për ta krijuar qeverinë. Herën e dytë mandatarin presidenti, megjithëse e ka në diskrecion të tij, duhet t’ua japë atyre që kanë shumicën parlamentare. Në të kundërtën ai do të bënte shkelje kushtetuese. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani.
Ashtu sikur në vitin 2014, edhe këtë herë koalicioni i përbërë rreth Partisë Demokratike të Kosovës do ta ketë të drejtën që në raundin e parë, nga dy sa janë, të tentojë për ta formuar qeverinë e re.
Në rast se PAN-i nuk siguron shumicën e thjeshtë për formimin e qeverisë, atëherë mandatarin për herën e dytë do ta vendosë diskrecioni i presidentit Thaçi.
Megjithatë, ky diskrecion nuk do të thotë arbitraritet, por duhet ta respektojë Kushtetutën, stabilitetin kushtetues, unitetin kushtetues të popullit. Po nuk i bëri këto, atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi presidentin dhe ai do të bëjë shkelje kushtetuese.
Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Megjithatë, sipas tij, kushdo që do ta formojë qeverinë e re nuk do të arrijë që ta çojë mandatin deri në fund.
Ndërkohë, duke folur për funksionalitetin e Kushtetutës, Hasani ka thënë se duke parë papërgjegjësinë e përfaqësuesve kosovarë gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, ajo ka nevojë edhe për ndryshim, për të cilat ka folur konkretisht më poshtë.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare gjatë intervistës ka folur edhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, themelimin e Asociacionit, Marrëveshjen e Demarkacionit, rritjen e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe rënien e PDK-së dhe të LDK-së.