Pamjet nga ajri tregojnë shkatërrimin e gjerë rreth Spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, ku 80 për qind e zonës është shkatërruar nga sulmet izraelite, duke i lënë të pastrehë mijëra palestinezë, raporton Anadolu.
Siç shihet edhe në pamjet e filmuara me dron, bombardimet izraelite 15-mujore ia kanë shndërruar ndërtesat e qytetit në një grumbull rrënojash dhe hiri.
Më 19 janar, hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi në Gaza, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 110.700 të tjerë.
Marrëveshja prej tre fazash e armëpushimit përfshin shkëmbimin e të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Sulmet izraelite gjithashtu kanë lënë më shumë se 11 mijë njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën e tij në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.